Tiranë – Deputetët e Partisë Socialiste janë larguar mbrëmë vonë pas 6-orësh ngujimi, nga salla e mbledhjeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa kanë deklaruar, nëpërmjet nënkryetarit të Grupit Parlamentar, Erion Braçe, se do të rikthehen sërish sot (e mërkurë) në orën 09:00, kur është parashikuar edhe mbledhja e radhës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Braçe iu ka bërë thirrje edhe mbështetësve të Partisë Socialistë nga e gjithë Shqipëria, që të mblidhen para KQZ-së për të asistuar në atë që deputeti socialist e quan një mbledhje të hapur për publikun.
Ndërkohë, Braçe pranoi se grupi i deputetëve socialistë ndodhej në sallë për të detyruar KQZ për të çertifikuar rezultatin për kryetarin e ri të Bashkisë së Tiranës që, sipas tyre, fitues është Edi Rama dhe për të bllokuar rendin e ditës së KQZ-së ku ishte parashikuar miratimi i aktit normativ për vlerësimin e fletëve të kontestuara të votimit për kryetarin e bashkisë, që janë gjetur në kuti të tjera.
Erion Braçe ka deklaruar se deputetët socialistë nuk e kanë shkeluar ligjin, pasi ata po merrnin pjesë në një të mbledhje të hapur të KQZ që, sipas tij, është e hapur edhe për publikun.
Në mbledhjen e orës 14 të ditës së djeshme kryetari i KQZ-së Arben Ristani mori vendim për ndërprerje, pasi deputetët e pranishëm në sale, për shkak të zhurmës që krijonin, e bënin të pamundur zhvillimin e normal të mbledhjes.
Wednesday, 18 May 2011 08:57