Lajme Shqip Tuesday, 17 May 2011 13:37

Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet pas disa minutash, për të shqyrtuar një projekt-akt, i cili autorizon këtë komision të vlerësojë  fletët e votimit që janë hedhur në kutinë e gabuar dhe që janë konsideruar të kontestueshme nga komisionerët e KZAZ-ve përkatëse në Tiranë.

Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, sqaroi se ky projekt-akt është hartuar në bazë të kërkesave që kanë ardhur nga KZAZ-të e Tiranës, lidhur me mënyrën se si do të vlerësohen votat e gjetura në kutitë e gabuara. “Këto kërkesa kanë ardhur nga shumë KZAZ dhe duhet të marrin një zgjidhje nga KQZ, i cili në këtë rast funksionon edhe si KZAZ, për të përcaktuar mënyrën se si ata do të përmbyllin numërimin me të gjitha kutitë e votimit”, tha Ristani.

Nisur nga fakti se në këtë fazë të procesit, KZAZ-të e Tiranës nuk mund të bëjnë një rishikim të tabelave të rezultateve, kërkohet që KQZ të vlerësojë këto vota si të vlefshme dhe t’i pasqyrojë ato në tabelën përmbledhëse të rezultateve për kandidatë dhe për këshillin e Bashkisë së Tiranës, e cila hartohet nga KQZ. Aktualisht këto fletë votimi janë konsideruar si të kontestueshme nga komisionerët e KZAZ-ve.

Projekt-akti parashikon që KQZ të vlerësojë këto fletë votimi dhe të vendosë se për cilin prej kandidatëve  apo subjekteve për bashkinë e Tiranës duhet të llogariten këto fletë votimi.

“Ky proces mund të bëhet vetëm pasi të ketë përfunduar procesi i numërimit të votave për njësitë bashkiake në kryeqytet, në mënyrë që të evidentohen të gjitha fletët e votimit, të cilat janë hedhur në kutinë e gabuar”, thuhet në këtë projekt-akt.

Në rast se KQZ do të miratojë këtë projekt-akt atëherë do të duhet të shtyhet sërish nxjerrja e rezultatit për kreun e Bashkisë së Tiranës, pasi duhet të përfundojë procesi i numërimit të votave në të gjitha njësitë bashkiake në kryeqytet.

Hartimi i këtij projekt-akti u kundërshtua nga përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste në KQZ, Genci Gjonçaj, me argumentin se KZAZ-të kanë prodhuar një rezultat votimi dhe tashmë ky rezultat duhet të certifikohet nga KQZ.

“Kjo është një çështje që tashmë është përfunduar në Tiranë dhe çdo tentativë për të ngatërruar procedura të tjera ekstra-ligjore në këtë moment tregon  për një pozicionim të njëanshëm të KQZ-së. KQZ është i autorizuar nga ligji për të shpallur kandidatin fitues dhe çdo devijim i kësaj praktike në këtë moment do të ishte shumë i dëmshëm dhe shumë i rrezikshëm për procesin zgjedhor”, tha Gjonçaj.