Tiranë – Partia Demokratike ka akuzuar komisionerët e PS-së dhe sekretarin e saj në KZAZ-në e njësisë numër 5 për bllokimin e procesit të përmbylljes së rezutalteve për zgjedhjet e 8 majit në Tiranë.
Zëdhënësja, Albana Mustafaraj, deklaroi se “në KZAZ 49, që i përket njësisë minibashkiake nr. 5 në Tiranë, që prej ditës së djelë e deri të hënën, numëruesit e anëtarët socialistë të kësaj qendre, së bashku me sekretarin, që ka futur në xhep vulën, janë larguar duke braktisur detyrën”.
“Ata janë rikthyer në orën 16 të ditës së hënë, duke mos pranuar të kryejnë asnjë veprim, dhe duke e shtyrë madje procesin për ditën e martë. Bllokimi që kanë bërë numëruesit dhe anëtarët socialistë të KZAZ, ka nisur kur gjatë procesit të numërimit, në kutitë e hapura për kryetarin e kësaj minibashkie u gjetën fletë që i përkisnin kandidatit për Kryetar Bashkie. Madje ata tentuan edhe të grisnin këtë fletë votimi. Ndërkohë që Partia socialiste kërkon që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të nxjerrë rezultatin, ajo po bllokon procesin e numërimit deri në fund në njësinë nr 5 në Tiranë, duke lënë hije të errëta dyshimi mbi veprimet e saj”, ka përfunduar zëdhënësja e selisë blu.
Tuesday, 17 May 2011 09:34