Lajme Shqip Monday, 16 May 2011 13:23

Tiranë – KQZ në pritje të shqyrtimit të një pr/akti, që parashikon të verifikojë procesverbalet e 485 kutive të votimit në Tiranë, në mbledhjen e sotme u përfshi nga debatet, pasi përfaqësuesit e PS-së pretenduan se vendimi për KZAZ-në nr. 49 po zvarritet qëllimisht nga ana e përfaqësuesve të maxhorancës.

Nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi kërkoi nga kryetari Ristani shqyrtimin sa më parë të këtij pr/akti, i cili sipas saj “nuk duhet të anashkalohet”, pasi ka të bëjë me tabelën e rezultateve për Bashkinë e Tiranës.

Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani tha se është në pritje të sqarimit të situatës për këtë çështje.

“Për këtë çështje, do të respektohen afatet. Ne, që dje pasdite kemi qënë në shqyrtim të kërkesave ankimore dhe inspektorët tanë kanë shkuar t’a verifikojnë situatën, pasi lajmet kanë ardhur të kundërta nga të dyja palët. Pr/akti do të shqyrtohet menjëherë sapo të marrim informacionet e nevojshme”, tha Ristani.

Mbledhja e KQZ-së po vijon me shqyrtimin e ankimimit të PD-së për rezultatet e tabelave përmbledhëse të KZAZ-së nr. 4 për bashkinë Poliçan, ku ka fituar kandidati i koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Adriatik Zotka, përballë kandidatit Çaush Qato të LSI-së, pjesë e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”.