Tiranë – Përfaqësuesi ligjor i LSI-së në KQZ, Ylli Manjani, deklaroi sot se “nuk ka asnjë arsye që të bllokohet procesi i numërimit të votave”.
Gjatë një interviste televizive, Manjani tha se “KQZ, në zbatim të kodit zgjedhor, ka bërë me korrektësinë maksimale detyrën e tij në funksion të nxitjes dhe përshpejtimit të procesit të numërimit të votave”.
Sipas tij, KQZ ka bërë ndërhyrje energjike në rastet e shfaqjes së fenomenit të bllokimit të procesit të numërimit të votave.
Ylli Manjani komentoi edhe raportin paraprak të publikuar një ditë më parë nga OSBE-ODIHR-i për zgjedhjet vendore, duke e cilësuar tepër të saktë dhe realist.
“Kushdo nga ne, i ka menduar ato gjetje pasi është një proces teknikisht korrekt, i ndërtuar mirë, por me një politizim të tejskajshëm”, nënvizoi ai.
Përfaqësuesi ligjor i LSI-së në KQZ, përfundoi duke shtuar se “në raportin paraprak të ODIHR-it, është një situatë realiste, por edhe një gjetje për të orientuar siç duhet reformën zgjedhore në të ardhmen”.
Wednesday, 11 May 2011 22:14