Lajme Shqip Thursday, 05 May 2011 13:25

Gjirokastër – Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), njëherazi nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë, Vangjel Tavo, ka dorëzuar sot në prokurorinë e Gjirokastrës një kallëzim penal për “shpifje dhe shpërdorim detyre” ndaj kryebashkiakut të qytetit të gurtë, Flamur Bime.

“Asnjëherë në karrierën time politike nuk kam shpërdoruar apo përfituar, në mënyrë të paligjshme, tokë në bregdet, ashtu siç ka deklaruar disa ditë më parë kryebashkiaku në ikje, Flamur Bime”, theksoi Tavo, pasi dorëzoi në sekretarinë e Prokurorisë së Gjirokastrës kallëzimin penal.

“Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, në mënyrë të qëllimshme ka publikuar në tre televizione lokale dy dokumenta “pronësie”, gjoja me emrin tim. I garantoj publikun se asnjëherë nuk do të abuzoj me detyrën, siç ka bërë Flamur Bime, gjatë shtatë viteve të fundit në krye të bashkisë”, nënvizoi Tavo.

Katër ditë më parë, kandidati i koaliconit të majtë “Aleanca për të ardhmen”, Flamur Bime, nëpërmjet zëdhënëses së bashkisë së Gjirokastrës, ka publikuar në media dy dokumenta “pronësie” që figuronin me emrin e deputetit Vangjel Tavo.