Lajme Shqip Monday, 02 May 2011 11:39

Tropojë – Në qendrën zgjedhore nr. 36 që përfshin rrethin e Tropojës, ende nuk ka nisur ngritja e komisioneve të qendrave të votimit. Këtë e ka bërë të ditur për ATSH-në kryetari i KZAZ-së nr. 36, Afrim Geghyseni. “Ende jo të gjitha partitë kanë sjellë kandidatët e tyre për anëtarë të komisioneve të votimit për qendrat e votimit, çka ka bere qe ende të mos nisim punën për ngritjen e këtyre komisioneve”, thotë ai.

Zvarritja e këtij procesi kur kanë mbetur edhe 6 ditë nga dita e votimit vështirëson ecurinë normale të procesit të zgjedhjeve në këtë zonë zgjedhore. “Po ashtu, ende nuk ka nisur puna për ngritjen e sallës ku do të numërohen votat, ndonëse salla është caktuar në një nga mjediset e shkollës 9 vjecare të qytetit”, thotë Geghyseni.

Edhe në zonën zgjedhore nr. 34 ende nuk janë ngritur të gjitha komisionet e qendrave të votimit. “Partitë nuk i kanë sjellë kandidatët e tyre për të gjitha qendrat e votimit. Një proces i tillë mund të përfundojë brenda një ose dy ditësh”, thotë nënkryetarja e KZAZ-së nr. 34, Lebibe Tota.

Në zonën zgjedhore nr. 36 të rrethit të Tropojës, më 8 maj votohet për zgjedhjen e drejtuesve të rinj të bashkisë së Bajram Currit dhe të 7 komunave të këtij rrethi. Në këtë rreth janë ngritur 74 qendra votimi ku do të votojnë rreth 20300 zgjedhes.