Tiranë – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në takim me banorët e qytetit të Vorës, të dielën në mbrëmje, premtoi shndërrimin e kësaj zone në një hapësirë të madhe ekonomike zhvillimi dhe punësimi.
Duke i bëri thirrje të pranishmëve për të votuar më 8 maj kandidatin e opozitës, Bashkim Haxhiu, Rama tha se në këto zgjedhje është dita për të votuar jo thjesht për bashkinë, por për Shqipërinë.
“Është dita për të votuar që një rrugë e re zhvillimi të hapet edhe për Vorën. E kështu nga Tirana në Durrës duke kaluar përmes Vorës ta transformojmë këtë hapësirë, në një hapësirë të madhe ekonomike që ajo të kthehet në një pol të fuqishëm zhvillimi për rajonin”, u shpreh kryetari i PS-së.
Rama nënvizoi se ne sot i kemi të gjitha mundësitë që Shqipërinë ta kthejmë në vendin ku realizohen ëndrrat dhe shpresat e çdo shqiptari dhe siç tha ai, “ne e kemi modelin tonë të suksesit dhe zhvillimit”.
“Ne e kemi modelin që tregon sesi mund të transformohet mbarë Shqipëria, të cilin mund ta shohin të gjithë kudo ku ne qeverisim me votën e qytetarëve. Ndërkohë që Saliu nuk na e tregon dot një qytet të vetëm, një komunë të vetme ku të mund të na thotë ja kush është modeli i tij. Nuk ka krahasim dhe as konkurrence të mundshme, nuk ka asgjë që i afron modelet tona”, tha kryetari socialist.
Në fjalën e tij Rama nënvizoi se vota më 8 maj në Vorë është edhe një votë për të mos lejuar më kurrë që “bashkia të mbyllë sytë përpara zullumesh të atilla si ai i Gërdecit”.
|
|
Monday, 02 May 2011 07:32