Lajme Shqip Sunday, 01 May 2011 06:45

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha siguroi dje qytetarët e Delvinës, se “Qeveria do të bëjë gjithka për të kthyer në vlera, burimet e mëdha nëntokësore dhe potencialet e mëdha turistike e bujqësore të Delvinës.

Kryeministri Berisha vijoi dje takimin me qytetarë të Delvinës, në kuadër të paraqitjes së alternativës për qytetarin dhe mbështetjes së kandidatëve të koalicionit “Aleanca për qytetarin” për zgjedhjet vendore të 8 majit. Kryeministri shprehu mbështetjen për kandidatin për kryetar bashkie, kryetarin aktual, Dhurim Alinani dhe garantoi qytetarët e Delvinës për mbështetjen e çdo projekti për zhvillimin e saj.

“Kryetari aktual i bashkisë, Dhurim Alinani, ia doli realisht të ndryshojë këtë qytet, të rindërtojë infrastrukturën e tij të rrënuar dhe të kthejë Delvinën në rrugën e vërtetë të zhvillimit”, tha Berisha.

Kryeministri garantoi se në katër vitet që vijnë do të investohen shumë më tepër në rrugët, shkollat, kopshtet, ujësjellës e kanalizimet dhe për infrastrukturën moderne në Delvinë.

“Delvina është rrethi i potencialeve të mëdha, i burimeve natyrore nëntokësore të mëdha, i potencialeve të mëdha turistike, i trashëgimisë kulturore dhe i potencialeve të jashtëzakonshme bujqësore”, tha Berisha, ndërsa u bëri thirrje fermerëve shqiptarë që të shtojnë sipërfaqet e mbjella me ullinj, dru frutorë e vreshta, duke i garantuar se qeveria do t’i subvencionoijë për çdo rrënjë të mbjellë.

Ndër projektet e rëndësishme në infrastrukturën rrugore për këtë rreth, gjatë këtij mandati, Kryeministri veçoi ndërtimin e rrugës Delvinë-Muzinë dhe përfundimin e rrugës Delvinë-Kardhiq.

“Kjo është alternativa që ka në epiqendër qytetarin”, tha Berisha, duke theksuar se objektivi kryesor i kësaj maxhoranca është renditja e Shqipërisë në vitin 2017 në grupin e vendeve të zhvilluara me të ardhura të larta.