Lajme Shqip Saturday, 30 April 2011 08:56

Gjirokastër – Një bashki në shërbim të qytetarëve dhe jo të militantëve. Kështu është shprehur gjatë takimeve me elektoratin kandidati i mazhorancës për bashkinë e Gjirokastrës, Genci Sinojmeri, duke nënvizuar se ndryshe nga deri tani, bashkia e qytetit do t’u shërbejë qytetarëve pa marrë parasysh bindjet partiake.

“Qytetarët në zyrat e bashkisë do të trajtohen njëlloj, pavarësisht se për kë kanë votuar. Për fat të keq, deri tani bashkia e Gjirokastrës e drejtuar nga Flamur Bime, u ka shërbyer vetëm militantëve dhe ka punësuar vetëm partiakë dhe jo specialistë për të cilët ka nevojë qyteti”, është shprehur ai.

Sipas Sinojmerit, “shumë specialistë të njohur të sektorëve të ndryshëm janë pa punë, pasi nuk bëjnë pjesë në partinë e kryetarit aktual dhe vendin e tyre e kanë zënë individë që si diplomë kanë vetëm tesren e Partisë”. Ai tha se një tjetër fenomen që konstatohet në bashkinë e sotme është edhe shërbimi me dy standarde ndaj qytetarëve.

“Ndërsa mbështetësit e kreut aktual të bashkisë trajtohen me përkushtim madje edhe duke shkelur ligjet, e

kundërta ndodh me ata që njihen si kundërshtarë politikë”, thekesoi Sinojmeri. Ai solli si shembull bizneset e vogla, ku për mbështetësit e kryetarit ka taksa më të ulta se ata që aderojnë në parti spekrit kundërshtar. Duke ju refruar praktikave të deritanishme, Sinojmeri deklaroi se “do të ndërtojë një administratë me specialistë të spikatur dhe se në shërbimin ndaj qytetarëve do të ketë vetëm një standart. Pas zgjedhjeve bashkia do të jetë e gjithë qytetarëve dhe jo vetëm e atyre që kanë votuar kryetarin”.