Kukës – Kandidati për kreun e Bashkisë së Kukësit, Hasan Halilaj, deklaroi mbështetjen e tij për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit të lartë në Kukës, në një takim me studentë të qytetit verior.
“Përkrahja juaj më shton detyrimin që të jem më i vemendshëm ndaj mësimdhënies, më i vemëndshëm ndaj arsimit, që në Kukës të vazhdojë me të njëjtat ritme ndihmesa për sistemin arsimor”, tha Halilaj.
Kandidati i “Aleances per qytetarin”, Hasan Halilaj, theksoi se platforma e tij parashikon mbeshtetjen per fushen e arsimit, zgjerimin e arsimit të lartë, nëpërmjet hapjes së degëve të reja universitare, mbështetjen me bursa per studentët më të mirë, financimin e masterave brenda dhe jashtë vendit, etj.
“Synimi është që Kukësi të ketë kampusin e vet universitar, gjë që do ta bëjmë realitet”, u shpreh Halilaj.
I pranishem në takim, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, u shpreh se “qyteti i Kukësit ka patur një kryetar me vizion të jashtëzakonshëm në funksionin e edukimit e të arsimit, duke e parë si një mision shumë të rëndësishëm të qeverisjes lokale”.
Kule i dorëzoi kandidatit për kryetar bashkie të Kukësit, Hasan Halilaj, “Çertifikatë mirënjohje” për kontributin e tij në hapjen dhe mbështetjen e filialit universitar të Kukësit.
Në filialin e Universitetit të Kukësit numri i studentëve këtë vit akademik arrin në rreth 700, ndërsa numri i pedagogëve vendas arrin në 41, prej të cilëve 10 të brendshëm dhe 31 të jashtëm. Veç tyre, një vend të rëndësishëm zënë pedagogët që vijnë nga Universiteti i Tiranës, duke garantuar një vijueshmëri normale të procesit mësimor.
Friday, 29 April 2011 09:32