Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ftoi sot partitë që të dëshmojnë maturi dhe vullnet politik për të zgjidhur çdo mosmarrëveshje në formë konsensuale në zgjedhjet vendore që pritet të zhvillohen në 8 maj.
“I ftoj partitë politike të mos përfitojnë nga monopoli mbipolar në administrimin zgjedhor për të bllokuar apo imponuar procesin zgjedhor, duke përdorur numrat në komisionet zgjedhore e duke cënuar kështu sado pak klimën e zgjedhjeve”, deklaroi z. Topi në një takim me vëzhguesit vendorë.
Duke ftuar qytetarët që të votojnë masivisht në zgjedhjet e 8 majit, Presidenti i Republikës theksoi se dita e zgjedhjeve nuk është garë mes simboleve e slloganeve, por partitë dhe kandidatët janë në konkurrencë për të ofruar alternativa zhvillimi dhe modele shërbimi ndaj qytetarëve.
Si president, politikan dhe qytetar, vijoi Topi, njoh dhe vlerësoj rolin e pazëvendësueshëm të partive politike në shoqërinë demokratike. “Ato përfaqësojnë pluralizmin dhe vizionet politike të qytetarëve dhe ne, me votën tonë, përmes tyre, ushtrojmë qeverinë politike”, tha ndër të tjera Topi.
Duke vlerësuar rëndësinë e zgjedhjeve, Topi u kërkoi partive e kandidatëve të largohen sa më shumë prej praktikave, presioneve dhe përfitimeve të paligjshme elektorale. “Ata duhet të sillen dhe të veprojnë si institucione demokratike, të veprojnë si zëdhënës të qytetarëve dhe avokatë të të drejtave dhe interesave të publikut”, tha Topi.
Kreu i shtetit deklaroi se 8 maji ështe dita e qytetarëve, dita kur politika duhet të përballet me verdiktin e vlerësimit për bilancin e punës së saj dhe mbi të gjitha për mirëqeverisjen e viteve të ardhshme. “Ndryshe nga ky vlerësim duket se një pjesë e politikanëve dhe partive politike e shohin 8 majin si një test force për militantët, strukturat dhe aftësinë e tyre kontrolluese mbi procesin”, tha më tej Topi.
Ai vuri në dukje se retorika e toneve të larta, dhe në disa raste edhe konfliktuale, mungesa e debatit profesional mbi projektet dhe alternativat, mangësitë në transparencën e premtimeve dhe financimeve elektorale apo edhe një varg incidentesh e aktesh dhune të panevojshme, janë tregues që palët politike kanë një këndvështrim tjetër nga publiku i gjërë mbi rolin dhe rëndësinë e këtyre zgjedhjeve.
Presidenti Topi tërhoqi vëmendjen edhe ndaj mungesës së kandidatëve të pavarur dhe grave në këto zgjedhje.
Wednesday, 27 April 2011 12:05