Tiranë – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vendosi sot të pranojë kërkesën e Partisë Demokratike dhe të udhëzojë kryetarin e Bashkisë Durrës “të ngrejë qendrën e votimit 1503 në institucionin e ekzekutimit të veprave penale, Durrës”.
Udhëzimi i KQZ-së parashikon që rreth 82 persona të paraburgosur, që ndodhen të izoluar në këtë institucion, duhet t’i drejtohen gjykatës që të çregjistrohen nga lista përfundimtare e zgjedhësve, ku ata figurojnë në përputhje me vendbanimin e tyre, dhe të regjistrohen në një listë të posaçme në përputhje me vendndodhjen e tyre, duke evituar në këtë mënyrë dublimet e mundshme.
Gjatë debatit për këtë çështje në KQZ u tha se kjo situatë është përgjegjësi direkte e drejtuesit të njësisë vendore, në këtë rast kryetarit të bashkisë Durrës, i cili duhet të kishte marrë masat që shtetasit e paraburgosur të mos figuronin në listën përfundimtare. Për këtë qëllim KQZ parashikohet të penalizojë me sanksione administrative drejtuesin vendor të kësaj njësie, për mosplotësim të dispozitave të kodit zgjedhor në përgatitjen dhe miratimin e listave zgjedhore.
Ndërkohë, mbledhja e KQZ-së po vijon me shqyrtimin e kërkesës ankimore të PS-së lidhur me vendosjen e qendrave të votimit në ambiente private në bashkinë Kamëz, qarku Tiranë.
Monday, 25 April 2011 17:43