Tiranë – Kandidati i maxhorancës për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i garantoi sot qytetarët e minibashkisë Nr.4 në kryeqytet se, “transparenca e administrimit të çdo takse të mbledhur dhe lufta kundër korrupsionit, do të jenë parësore në punën e tij si kryebashkiaku i ardhshëm i banorëve të kryeqytetit”.
Në vijim të turit elektoral, në takimin që kandidati demokrat zhvilloi me banorët e kësaj njësie, Basha i siguroi ata se platforma e tij për zhvillimin e Tiranës parashikon bërjen publike të çdo takse të mbledhur nga Bashkia dhe mënyrën se si ato shpenzohen, ndërsa premtoi vendosjen e një linje telefonike falas për denoncimin e korrupsionit, forcimin e kontrollit të brendshëm antikorrupsion, dhënies së më shumë kompetencave për njësitë vendore, krahas përfshirjes së qytetarëve në vendimarrje.
Basha u takua edhe me banorët e njësisë bashkiake Nr.2 dhe premtoi para tyre se platforma e tij parashikon ndërtimin e Tiranës europiane, duke nisur nga lagjet, ndërsa u garantoi atyre se çdo vendim që Bashkia nën drejtimin e tij do të marrë për zhvillimin e lagjeve dhe qytetit, do të merret në bashkëpunim me njësitë vendore dhe me ta dhe se për çdo projekt strategjik, qytetarët do të mund të vendosin edhe me referendum.
Monday, 25 April 2011 17:38