Lajme Shqip Saturday, 23 April 2011 20:49

Tiranë – Në vazhdim të fushatës zgjedhore, Kryeministri Berisha u ndal të shtunën pasdite në Koplik, për të shprehur mbështetjen për kandidatin për kryetar bashkie të “Aleancës për qytetarin”, për këtë bashki, zotin Ramadan Lika.

Kryeministri Berisha premtoi para qytetarëve se së bashku me ta dhe duke punuar ngushtësisht me qeveritarët vendorë do ta shndërrojnë Malësinë e Madhe, qytetin dhe komunat e saj në qytet dhe komuna moderne evropiane.

Duke premtuar se investimet për zonën do të gjashtëfishohen, kryeministri tha se do të ndërtohen dhe rindërtohen të gjitha shkollat, ujësjellësat, kanalizimet, vaditjet, do të shpaloset Malësinë turistike dhe promovohen buluritë mahnitëse të zonave përreth.

“Ju shpreh respektin më të thellë, mirënjohjen time për mbështetjen e jashtëzakonshme që ju i keni dhënë PD nga themelimi deri më sot. Malësia e Madhe ka qenë dhe mbetet në krye të mbështetjes për përpjekjet e Partisë demokratike, për ndryshimin e Shkodrës, për ndryshimin e Shqipërisë”, tha kryeministri Berisha.

Ai vuri ne dukje se, “së bashku me qeveritarët tuaj vendore do të financojmë çdo projekt për infrastrukturën më modern në të katër anët e rrethit tuaj. Këto 4 vite do të jenë vitet e Malësisë së Madhe, një ndër kantieret më të mëdha të vendit. Këto 4 vite ne do të ndërtojmë dhe rindërtojmë në këtë treve qindra km rrugë, do të asfaltojmë çdo rrugë dhe rrugicë të fshatrave tuaja, të lagjeve tuaja. Këto 4 vite ne së bashku do ia dalim ti paraqesim Evropës dhe botës, shqiptarëve kudo që janë fytyrën e bukur të malësisë së Mirë, të Malësisë së Madhe nga Vermoshi deri në Shkodër”.

“Jam këtu për tu zotuar para jush se këto 4 vite do të nisë puna për parkun industrial ndër më të mëdhenjtë të vendit, ku do të punësohen jo vetëm mijëra vajza dhe djem të Malësisë së Madhe , por edhe nga vende të tjera të Shqipërisë. Ju jap fjalën e nderit se në 4 vitet që vijnë investimet për këtë zonë do të gjashtëfishohen. Do të ndërtojmë dhe rindërtojmë të gjitha shkollat, do të ndërtojmë dhe rindërtojmë ujësjellës, kanalizime, vaditje, do të shpalosim Malësinë turistike, do të shpalosim bukurinë mahnitëse, të Kelmendit, Vermoshit dhe të gjithë zonave tuaja”, theksoi kryeministri Berisha.

“Kjo alternativë, kjo përpjekje është përpjekje që bazohet në punë në djersë, në punë në përkushtim, në dashuri, në respekt, në dinjitet,por kjo përpjekje ka bërë që ne sot, ish njerëzit më të shtypur në Evropë të jemi njerëz të sukseseve të mëdha, të mblidhemi në këtë shesh si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s, të mblidhemi në këtë shesh si qytetarë që lëvizin të lirë në mbarë Evropën, të mblidhemi në këtë shesh si qytetarë të një vendi që sot është shpallur si destinacionin kryesor turistik i Evropës dhe botës. Të mblidhemi në këtë shesh si qytetarë të një vendi, ekonomia e të cilit kryeson për tre vjet rresht, rritjen ekonomike në Evropë. Të mblidhemi në këtë shesh si qytetarë të një vendi që ka dyfishuar pensionet e ulëta, që ka dyfishuar rrogat e ulëta, që ka dyfishuar rrogat e mesme. Ne nuk jemi ata që qajnë e vajtojnë, nuk jemi ata që shajnë e akuzojnë, por jemi ata që punojnë, bëjnë çdo gjë për të ndryshuar jetën tonë”, vuri ne dukje me tej kryeministri Berisha.

Ne vazhdim, ai theksoi se, “dua ti them zotit Edi Rama se që kur erdhe në krye të PS ke bërë çdo gjë për të bllokuar çdo reformë, çdo masë, çdo ligj çdo vendim që është interes jetik qytetarëve shqiptarë. Të paharruara do të mbeten për mua etiketimet kriminale për rritjen e rrogave dhe pensioneve. Jo zotëri, rritja e rrogave dhe pensioneve është akti me njerëzor, më social , më human dhe ne do të vazhdojmë ti rrisim ato çdo vit. Votuat kundër pajisjes së shqiptarëve me kartat, letërnjoftimet elektronike dhe pasaportat biometrike, pajisje kjo, si një kusht vendimtar për lëvizjen e lirë. Qarkuat Shqipërinë në vallen e kutive, njësoj si etërit tuaj dikur në vallen e Enverit. Shqiptarët sot lëvizin të lirë në mbarë Evropën. Votuat në parlament para pak ditësh edhe kundër faljes dhe amnistisë për bizneset dhe detyrimet 20 vjeçare të njerëzve në nevojë. Pra unë e kuptoj që opozita nuk ka pse të votojë me qeverinë, por s’mund ta kuptoj kurrë pse opozita s’mund të dalë mbi propozimet e saj, të kërkojë më shumë, gjithnjë e më shumë për secilin prej jush, për çdo qytetar”.

“Unë ju bëj thirrje të gjithë banorë te Malësisë së madhe, pa dallim nga bindjet politike, të vijnë në shtëpinë tonë. Shtëpia jonë i ka dyert të hapura për të gjithë. Nuk ju duhet gjë rruga e vetmisë, nuk keni pse mendoni për rrugën e vetme. Atë e meritojnë pinjollët e etërve që nuk kthehen më kurrë. Për ju shtëpia jonë është shtëpia më e mirë. Së bashku ne do të ndërtojmë të ardhmen që meritojmë”, tha kryeministri Berisha.