Lajme Shqip Saturday, 23 April 2011 18:51

Gjirokastër – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, prezantoi pasditen e sotme, kandidatin e koalicionit të majtë “Aleanca për të ardhmen” për Bashkinë e Gjirokastrës, Flamur Bime.

Gjatë këtij takimi elektoral, Rama deklaroi se “PS-ja është e vemtja rrugë që mundëson zhvillimin e vendit”.

Sipas tij, të gjithë qytetarët duhet të kuptojnë se vota e 8 majit është politike, sepse është një votë për të ndryshuar tërësisht politikën kombëtare mbi pasuritë e këtij vendi.

Duke ju bërë thirrje qytetarëve që të votojnë për të ndryshuar përgjithmonë politikën e mbrapsht të Sali Berishës, kryesocialisti theksoi se “qeveria po qëndron duar lidhur duke parë të rrënuar, siç rrënohen dita ditës këto ndërtesa që janë një trashëgimi kulturore”.

Më tej, Rama shtoi se “duhet të bashkohemi për të vënë në vend nderin e Gjirokastrës, duke refuzuar me votë Saliun dhe regjimin e tij obskurantist, për të hapur një rrugë të re për ekonominë e këtij vendi, sepse Shqipëria sot vuan një krizë përditë e më të thellë të rënimit ekonomik”.

Ndërsa kryetari i Partisë Bashkimit të të Drejtave të Njeriut (PBDNJ), Vangjel Dule, theksoi se “kjo forcë politike është rrjeshtuar në koalicionin “Aleanca për të Ardhmen”, pasi beson tek fitorja e opozitës në 8 majit”.

Dule u bëri thirrje gjirokastritëve dhe minoritarëve që të votojnë për aleancën e ndryshimit, pasi sipas tij, mazhoranca e sotme qeverisë me vota të vjedhura.”Ne do të fitojmë, sepse besojme tek e ardhmja”, tha kreu i PBDNJ-së.