Tiranë – Kryetarja e Kuvendit dhe Nënkryetare e PD-së, Jozefina Topalli, gjatë takimit elektoral me banorë të komunës së Golemit, në rrethin e Kavajës, shprehu mbështetje për kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” në postin e kryetarit të kësaj komune, Engjëll Murrizi.
Në fjalën e saj në takimin elektoral me banorë të kësaj komune, Topalli u ndal në progresin dhe transformimin e madh që Shqipëria ka bërë sidomos gjatë viteve të fundit, falë doktrinës së qeverisë dhe liderit të maxhorancës, kryeministrit Sali Berisha dhe shpalli objektivin ambicioz të maxhorancës për ta bërë Shqipërinë një vend të zhvilluar brenda vitit 2017, duke vënë në dukje se projektet e zhvillimit të infrastrukturës dhe turizmit, do të bëjnë të mundur arritjen e një objektivi të tillë.
Duke u ndaluar në zgjedhjet e 8 Majit, kryetarja e Kuvendit dhe nënkryetare PD-së theksoi se ato janë zgjedhje për pushtetin vendor dhe për këtë arsye këto janë zgjedhje të rëndësishme, sepse kanë të bëjnë direkt me qytetarin.
“Si shqiptarë ne kërkojmë zgjedhje të qytetëruara, nuk e pranojmë kurrë kulturën e dhunës dhe e refuzojmë atë. Si shqiptarë ne duam qetësinë dhe paqen dhe në këtë mënyrë do të bëjmë të mundur që zgjedhjet e 8 majit të jenë zgjedhjet më të lira dhe më të qytetëruara që kemi njohur ndonjëherë”, u shpreh Topalli.
Kryetarja e Kuvendit kërkoi edhe njëherë mbështetjen e banorëve të Golemit për kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Engjëll Murrizi, vizioni i të cilit, siç tha ajo, do ta kthejë Golemin ndër të tjera në një qendër turistike nga më të vizituarat.
Saturday, 23 April 2011 12:09