Sarandë – “Në Gjermani është tashmë traditë që kandidatët dalin në debat televiziv, por në Sarandë mesa duket kjo praktikë nuk aplikohet”, deklaroi dje nga Saranda, Carola Holtkemper, Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, pasi më parë ishte takuar me kryebashkiakun e qytetit bregdetar, në jug të vendit.
Hotkemper shprehu shqetësimin që qytetarët e Sarandës nuk do të kenë mundësi të ndjekin nga afër një debat televiziv për qytetin e tyre.
“Çdo votues ka të drejtë të njihet me progamet elektorale, me qëllim që qytetarët të kenë mundësi të zgjedhin mes dy projekteve për katër vitet e ardhshme”, theksoi Hotkemper.
Gjatë qëndrimit të saj një ditor në Sarandë, Ambasadorja gjermane është pritur nga kryebashkiaku Edmond Gjoka.
Në bisedë me ambasadoren gjermane, Gjoka theksoi se “banorët e Sarandës tregojnë qytetari dhe maturi në zgjedhje, një traditë kjo disavjeçare në qytetin tonë”, ndërsa i bëri ftesë kandidatit të koalicionit të majtë “Aleanca për të Ardhmen” për Bashkinë e Sarandës, Stefan Çipa, të dalë në debat publik dhe të shpalosë alternativën e tij për qytetin.
Saturday, 23 April 2011 07:13