Lajme Shqip Sunday, 17 April 2011 09:56

Tiranë – Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, në një takim elektoral me anëtarë dhe mbështetës të kësaj partie të Njësisë Bashkiake nr.8, në Muzeun Historik Kombëtar, u bëri thirrje partive të mëdha, PD dhe PS, që të “tërheqin njërin prej kandidatëve dhe të mbështesin vetëm një kandidat për Himarën për t’i dhënë fund abuzimit me këtë territor kreshnik të Shqipërisë”.

Duke folur përpara mbështetësve të kësaj partie, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, kërkoi votën e të gjithë qytetarëve të Tiranës, për të mbështetur një forcë politike që ka në qendër të vëmendjes çështjen kombëtare.

“Pamë përpara dy ditësh se në Rivierën shqiptare ishin mbushur muret me parulla antishqiptare, që ofendonin rëndë këdo që ka në zemër këtë vend dhe ofendonin rëndë Himarën. Jam i sigurt se kudo në Shqipëri, e veçanërisht në këtë sallë, të gjithë janë ndjerë të indinjuar nga ky akt”, tha Idrizi, duke kërkuar nga shteti shqiptar që të mos rrijë duarkryq.

Ai shtoi se shteti shqiptar nuk duhet të ndalojë vetëm ata që organizojnë protesta paqësore kundër Vasil Bollanos e të lërë të lirë ata që provokojnë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe kërkoi që prokuroria të ndërhyjë menjëherë dhe të vendosë përpara drejtësisë të gjithë fajtorët.

“Sot, duhet të bashkohemi të gjithë, që provokimeve të ulëta të këtij lloji t’i japim fund”, tha Idrizi, duke shtuar se ka ardhur çasti që të ulen flamujt e partive dhe të ngrihet lart Flamuri Kombëtar.