Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq ka zhvilluar sot biseda telefonike me shefat e shumë shteteve.
Siç raportojnë mediet serbe, ai ua prezantoi atyre argumentet e Beogradit kundër kërkesës së Shqipërisë për pranimin e Kosovës në UNESCO.
Sipas kumtesës së shërbimit të shtypit të Presidencës Serbe, transmeton Koha.net, Nikoliq shprehet i bindur se nëse miratohet kërkesa e Shqipërisë ka rrezik nga konfrontimet brenda organizatës së UNESCO-s, e cila duhet të arrijë konsensus midis vendeve anëtare për çështjet e arsimit, shkencës dhe të kulturës.
Bëhet e ditur se Nikoliq sot ka biseduar me presidentët e Rumanisë, të Malit të Zi e të Maqedonisë.
Dje Nikoliq u ka dërguar letër shefave të shteteve anëtare të UNESCO-s me të cilën propozon që “çështja e pranimit të të ashtuquajturës Kosovë” të shtyhet, meqë vendi ku duhet të shqyrtohet janë negociatat midis Beogradit e Prishtinës, të cilat me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian po zhvillohen në Bruksel.
Mali i Zi e Maqedonia votuan në favor të rekomandimit të Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.
Ndërkohë Maqedonia e ka tërhequr nga UNESCO përfaqësuesin e vet, Agron Buxhakun.
Friday, 30 October 2015 15:31