Lajme Shqip Wednesday, 21 October 2015 15:05

Sekretari organizativ i lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj është duke u kërkuar nga Policia e Kosovës, për tu intervistuar.

“Sot Policia e Kosovës është vënë në kërkim të Sekretarit Organizativ të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Dardan Molliqaj të cilin e kanë kontaktuar dhe i kanë kërkuar që të paraqitet në stacionin policor. Isa Mustafa nuk e ka ndërmend të ndalet në përndjekjen e opozitës. Këto raste flasin qartë për totalitarizmin që po ndërtohet në Kosovë. Në njërën anë Qeveria, pa e pyetur askënd, merr vendime për t’i dhënë kontroll Serbisë në gati 1/3 e territorit, kurse në anën tjetër ushtron dhunë ndaj kundërshtarëve politikë që për qëllim kanë mbrojtjen e Republikës”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Vetëvendosje thekson se këto përndjekje po e dërgojnë vendin drejt tensioneve të reja edhe më të mëdha.

“Opozita nuk do të heq dorë nga kauza e saj në mbrojtje të sovranitetit shtetëror dhe territorit, në mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe barazisë”, thuhet në komunikatë.