Lajme Shqip Tuesday, 20 October 2015 23:18

Dhjetëra dëshmitarë të mbrojtur, që pritet të dëshmojnë në proceset gjyqësore kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së, që do të nisin vitin e ardhshëm në Gjykatën Speciale, tashmë janë vendosur në vendet anëtare të Bashkimit Europian.

Gazeta Express merr vesh se dhjetëra dëshmitarë të cilët pritet të dëshmojnë në proceset gjyqësore kundër ish –udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që dyshohen për krime lufte tashmë janë vendosur në vendet anëtare të Bashkimit Europian.

Gjykata Speciale, e cila pritet të nis punën vitin e ardhshëm në Holandë, që të trajtojë akuzat për krime lufte të cilat burojnë nga Raporti i Martit, pritet të funksionalizohet pas një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës Holandës dhe BE-së.

Sipas burimeve të Express, dëshmitarët e mbrojtur janë ish –pjesëtarë të të UÇK-së, që kanë njohuri për krimet e luftës që kanë ndodhur . Po ashtu bëhet e ditur se tashmë komandantët janë në dijeni për dëshmitarët të cilët pritet të dëshmojnë me identitet të mbrojtur për krimet e luftës.

Krerëve të UÇK-së të cilët aktualisht mbajnë poste të larta politike në skenën kosovare mund t’u ngrihen akuza menjëherë pas fillimit të punës të Gjykatës Speciale. Sipas zyrtarëve të lartë të BE-së aktakuzat e para pritet të ngrihen në fillim të vitit të ardhshëm. /Express/