Një punonjës i kompanisë amerikane, e cila ra viktimë e hakerit kosovar, Ardit Ferizi, në gusht të 2015-ës kishte vërejtur se dikush ishte qasur pa autorizim në faqen e tyre. Bëhej fjalë për llogarinë “KHS”, që besohet të jetë akronim i Kosova Hackers Security, e që në raportin e FBI’së thuhet se prapa saj fshihej 20 vjeçari nga Gjakova, Ardit Ferizi.
Ardit Ferizi, qasjen në serverin e kompanisë viktimë përmes llogarisë “KHS” e kishte krijuar që nga 13 qershori 2015, dy muaj para se punonjësit t’i binin në gjurmë dhe ta denonconin në FBI.
Kompania ia kishte fshirë tri herë llogarinë hakerit gjakovar të krijuar qysh në qershor, por ai më 15 korrik të këtij viti serish kishte hapur “dosjen” e tij brenda të njëjtës kompani. E pas kësaj, hakeri kosovar me siguri se e kishte humbur durimin dhe kishte ‘guxuar’ ta kontaktojë kompaninë në fjalë duke e kërcënuar se në rast se të dhënat e tij fshihen prapë nga serveri i kompanisë, ai do t’i publikojë të dhënat tjera që i ka nxjerrë nga kompania viktimë, shkruan Gazeta Express.
“KHS” madje u kishte lenë kontaktet e tija dhe në fund letrën e kishte nënshkruar si “hakeri shqiptar”.
Kjo bisedë është transmetuar nga punonjësit e kompanisë tek FBI dhe e gjitha përmendet si provë ndaj Ardit Ferizit në raportin 22 faqesh të agjencisë amerikane për hakerin kosovar.
“Përshëndetje Administrator,
Është hera e tretë që i fshini dosjet e mia dhe humbni punën time HAKUESE në këtë server! Po ju paralajmëroj se nëse e bëni prapë, do ta bëj publik secilin klient në këtë server! Nuk dua ta bëj këtë, sepse nuk fitoj asgjë! Por, pse po mundoheni të ma humbni qasjen në server, haha! Pse po shpenzoni kohë në një gjë që nuk mund ta bëni? Ju lutem mos e bëni gabimin e njëjtë, sepse gjëra të këqija do t’ju ndodhin. Nuk kam prekur asgjë në dosjet tuaja të hostingut, ju lutem as ju mos i prekni të mijat.
Kontaktoni me mua? Khs-crew@live.com
Përshëndetje nga një haker Shqiptar! #SkyNet #KHS”, ishte mesazhi i Ferizit për kompaninë.
Më 20 gusht, punonjësi i kompanisë i ishte përgjigjur letrës së Arditit, duke i kërkuar atij që të mos tentojë ta sulmojë sërish serverët e kompanisë. E kosovari i ishte përgjigjur me një tjetër mesazh që niste i koduar.
“2BTC 1f5Vgh7wMU9ofZWZno9ABsLSQ7XXkLsrG dhe do të dal nga serveri juaj dhe do ta bëj një raport për metodën se si kam marrë qasje në serverët tuaj”, shkroi ai.
“Mendon 2 bitcoins? Nuk e kuptova çka është ajo”, i është përgjigjur punonjësi, më 21 gusht 2015.
Sërish, Ardit Ferzi i ka dërguar një tjetër mesazh, duke i dhënë informatat për bitcoin (monedhë digjitale) dhe udhëzimet se ku duhet t’i transferojë kompania bitcoinat të cilat tashmë ishin në ‘pronësi’ të 20 vjeçarit.
Në raportin e agjentit federal të FBI’së, Kevin M.Gallagher, thuhet se Ardit Ferizi i identifikuar si “KHS” tutje ka kërkuar nga kompania dy bitcoin në vlerë përafërsisht 500 dollarë për ta rikthyer aksesin e kompanisë në serverët e tyre dhe t’u tregojë me anë të një raporti metodën e qasjes së tij në serverët e kompanisë.
Në atë periudhë, FBI ka ndërdyrë me pëlqimin e kompanisë dhe ka rishikuar të gjitha informacionet, duke gjetur kështu prejardhjen e IP adresës, e cila u lokalizua në një ofrues interneti në Malajzi e që më pas rezultoi të jetë përdorur nga Ardit Ferizi që studionte shkenca kompjuterike dhe forenzikë në një institut privat në kryeqytetin Kuala Lumpur.
Depërtimi i Ardit Ferizit në serverët e kompanisë amerikane ia ka mundësuar atij qasjen e të dhënave personale si emri, mbiemri, numrat e telefonit, numrat identifikues, llogaritë bankare, fjalëkalimet etj., të mbi 100 mijë personave, përfshirë edhe të dhënat e rreth 1000 ushtarakëve dhe zyrtarëve federalë të SHBA’ve, të cilat kosovari dyshohet se i lëshoi në duart e ISIS-it.
Ferizi i njohur edhe si “Th3Dir3ctorY” u arrestua më 15 shtator 2015 nga autoritet malajzeze dhe pritet ekstradimi i tij në SHBA ku mund të vuajë dënimin me burgim deri në 35 vjet për veprat penale “Qasje e paautorizuar në kompjuter”, “Vjedhje e rendë e identitetit” dhe “Sigurim i materialit për një grup të caktuar terrorist”.
Tuesday, 20 October 2015 17:49