Ambasada e ShBA në Prishtinë përmes një komunikate ka shprehur përkrahjen presidentes Atifete Jahjaga për të vendosur dialogun politik midis subjekteve qeverisëse.
Në komunikatë thuhet:
Ambasada e SHBA-ve në Kosovë fuqimisht përkrah përpjekjet e presidentes Jahjaga për të kultivuar dialogun politik mes partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.
Kuvendi është institucioni më i rëndësishëm i Kosovës dhe funksioni i tij është jetik për demokracinë, përparimin, dhe sigurinë e Kosovës. Vetëm një Kuvend që funksionon mund të debatojë dhe miratojë masat që nevojiten për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Kosovës dhe për të siguruar që Kosova vazhdon rrugëtimin e saj drejt integrimit euro-atlantik.
U bëjmë thirrje të gjitha partive që të heqin dorë nga çfarëdo kërcënimi me dhunë që është edhe i paligjshëm edhe i papërputhshëm me një shtet modern demokratik, – përfundon komunikata.
Tuesday, 20 October 2015 16:01