Përcaktimi i pikave administrative në Mitrovicë ka ngjallur reagime te banorët e këtij qyteti. Më i prekur nga këto ndryshime pritet të jetë fshati Suhodoll.
Një fakt i tillë është përmendur nga kryetari i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq.
“Kufiri do të jetë në Suhodoll dhe fshatrat përreth, pika kontestuese ku qytetarët s’e dinë cilës komunë i takojnë”, është shprehur Rakiq, raporton KTV.
Mirëpo, banorët e këtij fshati thonë se nuk pranojnë kurrfarë ndryshime që nuk janë në Pakon e Ahtisarit.
Ata thonë se me çdo kusht do të mbrojnë pronën e tyre.
Përfaqësuesi i këtij fshati thotë se nuk do të lejojnë ndryshime për qejfe të askujt.
Në të njëjtën linjë me banorët është edhe kryetari i Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri.
Ai i ka garantuar qytetarët e tij se derisa ai të jetë kryetar, askush nuk mund të prekë kufijtë.
Madje Bahtiri, një ditë më parë, ka përfunduar me rregullimin e rrugës së fshatit Suhodoll, pikërisht aty ku Rakiq pretendon se do të jetë kufiri, transmeton Koha.net.
Bahtiri, ndër të tjera, i ka bërë thirrje homologut të tij nga Veriu që sa më parë të vijë ta nënshkruajë memorandumin që të përfundojë edhe procesi i përcaktimit të pikave administrative.
Monday, 19 October 2015 22:02