Lajme Shqip Monday, 19 October 2015 10:59

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, Vladimir Kostiq, i është përgjigjur Presidentit të këtij shteti, duke thënë se është e rëndësishme që ai ta shprehë opinionin e vet, pavarësisht nëse është apo jo në vijë me mendimin kolektiv.

 “Nuk do të lejoj askënd që të përcaktojë se çfarë do të them apo nuk do të them,  apo të përcaktojë se çfarë është një trup i përbashkët i mendimeve të cilit secili duhet t’i përmbahet”, deklaroi Kostiq për Beta, transmeton lajmi.net.

“Lëreni serbët të përcaktohen vetë se çfarë besojnë”, ka shtuar ai.

Ky reagim i Kostiqit vjen pasi që Presidenti i Serbisë, Nikoliq i ka reaguar kryetarit të ASHAS, duke i thënë se “nuk mund të flasë për Kosovën në mënyrë individuale” pasi që “Kosova nuk është pronë e tij”.

“Si mundet që ai ose dikush tjetër të japë diçka që nuk është e tij. Kosova nuk është e jotja e as e ndonjë individi tjetër. Kosova i takon paraardhësve dhe pasardhësve tonë”, thuhej veç tjerash në reagimin e Nikoliq.

Ditë më parë, Kostiq kishte kërkuar që t’i thuhet popullit të Serbisë që Kosova është e humbur.

“Kosova nënkupton një pjesë të madhe të bazës kulturore serbe për të cilën duhet të luftojmë dhëmb me dhëmbë. Mirëpo gjërat janë të qarta. Ne mund ta gënjejmë veten, por është e qartë se Kosova nuk është më në duart e Serbisë”, kishte thënë Kostiq.