Lajme Shqip Saturday, 17 October 2015 18:44

 

Nëse vërtetohen dyshimet ndaj 20 vjeçarit Ardit Ferzi, i arrestuar me 15 shtator në Malajzi, atëherë ai mund të dënohet deri me 35 vjet burgim, ka njoftuar Departamenti Amerikan për Drejtësi.

Kosovari i njohur si “Th3Dir3ctorY” po akuzohet se përmes një sulmi kibernetik ndaj një baze ushtarake amerikane, ka nxjerrë të dhëna për rreth 1000 ushtarakë dhe punonjës tjerë federalë e që më pas ua ka dorëzuar liderëve të ISIS-it.

Ferizi pritet të dal para gjykatës në Zyrën e Qarkut të Virxhinias, sapo të kryhet ekstradimi i tij në SHBA.

Ai dyshohet se informatat që i kishte nxjerrë nga njëra bazë e SHBA-ve, mes muajve qershor dhe gusht të 2015-ës, i kishte transferuar tek Junaid Hussain, një nga anëtarët dhe hakeret kryesorë të ISIS-it i njohur edhe si Abu Hussain al-Britani. Ky i fundit thuhet të jetë vrarë pak kohë pasi i kishte marrë të dhënat, diku kah fundi i muajit gusht.

Por, para se të gjente vdekjen, po në fillim të gushtit, Hussain kishte postuar në Twitter se “Ushtria dhe Qeveria Amerikane janë hakeratur nga ISIS – Divizioni i Hakerëve të Shtetit Islamik”, e më poshtë kishte bashkangjitur një lidhje të një dokumenti 30 faqesh me të dhëna të nxjerra nga baza amerikane.

Ardit Ferizi hyri në Malajzi në gusht të vitit 2014, për të studiuar në shkenca kompjuterike dhe mjekësi ligjore në një institut privat në kryeqytetin Kuala.

Arditi vjen nga Gjakova dhe në vendlindjen e tij njihej me nofkën “Diti”, si udhëheqës i grupit “Kosovo Hacker’s Security”. Si i mitur ishte arrestuar disa herë edhe nga Policia e Kosovës, por për shkak të moshës i ishin konfiskuar pajisjet kompjuterike. /Gazeta Express/