Lajme Shqip Friday, 16 October 2015 16:26

Ndryshime thelbësore në ligjin e ri të azilit në Gjermani: Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova do të shpallen vende të sigurta origjine. Po ashtu hiqen ndihmat financiare, jepen vetëm ushqime ose kupona në vend të parave.

Për herë të parë që nga viti 1993, përcjell Shekulli, Bundestagu gjerman ndërmori ndryshime thelbësore në ligjin e azilit.

“Ne duam, që të mos shtrohen aspak kërkesa nga ata që nuk kanë perspektivë për njohjen e së drejtës së azilit”, argumentoi ministri i Brendshëm kristiandemokrat, Thomas de Maizière ndryshimet e ndërmarra në një sërë ligjesh për të drejtën e azilit.

Paketa ligjore synon, që të shpejtohet vendimmarrja për ata që fitojnë azil dhe ata që nuk fitojnë azil.

Kush nuk ka të drejtë për azil, sipas përfytyrimit të ministrit të Brendshëm duhet të kthehet shpejt në vendin e origjinës.

Kush ka të drejtë për azil, duhet të mund të integrohet më shpejt dhe më mirë. Pikat më kryesore të ligjit janë:

• Refugjatët në të ardhmen duhet të qëndrojnë në strehimoret e pranimit fillestar derisa të vendoset për kërkesën e tyre.

• Kërkesat duhet të shqyrtohen shumë më shpejt.

• Federata merr përsipër një pjesë të madhe të kostove prej komunave të mbingarkuara.

• “Joshje të rreme” duhet të shmangen, në mënyrë që njerëzit të mos aplikojnë për azil duke u nisur nga arsyet ekonomike. Gjatë periudhës së shqyrtimit të kërkesës së azilit ndihmat do të jenë më pak në para dhe kryesisht në natyrë – si p.sh. ushqime apo kupona ushqimi.

• Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova do të shpallen vende të sigurta origjine.

• Në të ardhmen do të ketë dy kategori refugjatësh. Refugjatë nga vendet e treta të sigurta këtej e tutje do të kenë më pak shanse për qëndrim në dallim me ata që kanë “perspektivë pranimi”. Atyre, njohja e azilit të të cilëve është e mundshme, do t’u ofrohen më shpejt kurse gjuhe dhe integrimi dhe do të lejohen më shpejt të hynë në punë. Refugjatët nga vendet e treta të sigurta në të kundërt nuk do të lejohen të punojnë.

• Refugjatët e refuzuar duhet të dëbohen më shpejt.

Ndërkohë që nuk u vendos krijimi i zonave të diskutueshme “të tranzitit”. Fillimisht Ministria e Brendshme kishte planifikuar që të krijonte zona të tilla në kufi. Në bazë të këtij plani refugjatët do të duhej të qëndronin në rajonin kufitar, derisa të merrej vendimi për kërkesën e tyre.