Lajme Shqip Thursday, 15 October 2015 19:58

“Serbia dëshiron të bëhet anëtare e BE-së, këtë e dua edhe unë, por Serbia asnjëherë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës e Metohisë”, u ka thënë gazetarëve gjermanë në Beograd, presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliq.

“Unioni mund të heq dorë nga negociatat (me Serbinë) nëse do të thoshte ‘cullak’ se duhet ta pranoni pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Nikoliq, duke konstatuar se “ata po shmangen të thonë se ne duhet ta pranojmë pavarësinë e Kosovës e Metohisë”, transmeton Koha.net raportimet e medieve të Beogradit nga ky takim i presidentit serb me gazetarët gjermanë.

Duke theksuar se Serbia nuk ka bërë gabim që nuk e ka pranuar pavarësinë e Kosovës, ka shtuar se “një ditë ndoshta në Serbi do të lindet politikani që do të thotë se duhet ta njohim pavarësinë e Kosovës e të Metohisë dhe t’i fitojë zgjedhjet, por sot kjo është e pamundur”.

Për dialogun e Brukselit, Nikoliq ka thënë se BE ka vendosur kornizën brenda të cilës duhet të bisedohet, por “kjo kornizë e re është kornizë e BE-së”.

Në vazhdim ai ka kujtuar Atentatin e një shekulli më parë të Sarajevës, në të cilin serbët vranë Franc Ferdinadin, trashëgimtarin e fronit Austro-hungarez, dhe shkaktuan Luftën e Parë botërore, për të vënë ndërlidhjen me situatën aktuale rreth Kosovës.

“Nëse Serbia do të pranonte pavarësinë e Kosovës, do të shkaktohej luftë qytetare”, citojnë mediet e Beogradit të ketë thënë ai, pa e sqaruar se pse do të ndodhte kjo.

Ndërlidhja e serbëve me Kosovën, sipas tij, është vendimtare, ndërsa rreth kërkesës që Kosova të bëhet anëtare e UNESCO-s është shprehur se kështu “ka filluar ofensiva ndaj krenarisë së popullit serb”.

“Shekujt tanë shihen në gurë, e nuk e di ku shihen, ku gjeni gjurmë të pranisë shqiptare në Kosovë e Metohi më të vjetra se 50 vjeç”, ka thënë Nikoliq duke përmendur në këtë kontekst xhamitë, të cilat të gjitha janë të reja.