Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot, ndërkohë që asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrimet e tri partive opozitare për të mos e lejuar funksionimin normal të institucioneve.
Kryesia e Kuvendit ka vendosur që asnjë zyrtar të mos e kalojë derën, pa një kontroll të rreptë, pas ngjarjes së fundit kur deputetët opozitarë kishin futur brenda skalperë për heqjen e muraleve, si dhe gaz lotsjellës – për realizimin e aksionit të tyre si kundërshtim ndaj Marrëveshjeve të fundit të Brukselit dhe Demarkacionit me Malin e Zi.
Vetëvendosje, AAK dhe Nisma e kanë konsideruar të papranueshëm këtë vendim dhe kanë tërhequr vërejtjen se çdo tensionim i situatës, pas masave policore, është përgjegjësi e Kryetarit të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës.
Deputetët e Opozitës do të mblidhen sot në mëngjes, para fillimit të seancës, për të vendosur si të qasen.
Albin Kurti i Vetëvendosjes ka pohuar se kontrolli i shtuar në Kuvend nuk mund t’i ndalë ata në përpjekjen e tyre për ta kundërshtuar jetësimin e “Zajednicës” në Kosovë.
Ai ka thënë në “Opinion” të Televizonit Klan se i kanë taktikat e tyre të aksioneve, por nuk ka dashur t’i zbulojë ato.
“I shihni live në TV”, është shprehur Kurti.
Thursday, 15 October 2015 08:08