Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka konfirmuar se ka një ndryshim të ri në platformën e propozuar për Kapitullin 35, e cila ka “sforcuar” më tej kushtet e Serbisë drejt integrimit duke e vënë në presion Serbinë që ta njohë direkt apo indirekt pavarësinë e Kosovës.
“Kryeministri Aleksandar Vuçiq shumë seriozisht është duke menduar rreth qasjes së re rreth dialogut, jetës politike në vend, ndoshta edhe vetë qeverisë”, citojnë Gjuriqin mediat serbe, transmeton Telegrafi.
Ai thekson se kryeministri dhe gjithë qeveria, në ditët e ardhshme intensivisht do të mendojnë se çfarë duhet bërë më tej.
Propozuesi i amendamentit është Gjermania, dhe është mbështetur nga Mbretëria e Bashkuar dhe Kroacisë.
Në Bruksel dje, pas dy orë e gjysmë ka përfunduar një takim i kryeministrit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, me kreun e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini.
Dhe për këtë, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq ka thënë se bisedimet ishin të vështira dhe se vetëm është rënë dakord që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel.
Wednesday, 14 October 2015 11:29