Lajme Shqip Tuesday, 13 October 2015 14:06

Qeveria nuk e ka të gjatë, kur kryeministri përdor instrumentet e shtetit për t’i arrestuar personat me urdhër politik, duke mos i ndjekur procedurat demokratike.

Kështu u tha në konferencën për media të mbajtur sot nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilët arrestimin e ish liderit të tyre, Albin Kurtit, dhe aktivistëve tjerë, e quajnë si kidnapim.

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha se Qeveri e udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa, në vend që të reflektojë në kërkesat për tërheqjen e nënshkrimit të marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, ata po fillojnë të krijojnë represion ndaj pjesëtarëve të Opozitës.

“Një sjellje e tille tregon se Qeveria jo vetëm që nuk është e gatshme qe të teriqet por të bëjë dhe arrestime dhe burgje. Me këto veprime Qeveria Mustafa po kërkon eskalimin e situatës”, tha Konjufca, raporton lajmi.net.

Ndërsa nënkryetari i kësaj lëvizje, Driton Çaushi, është shprehur i vendosur që kundërshtimin ndaj kësaj marrëveshje ta vazhdojnë deri në zhbërjen e saj.

“Jemi te vendosur që të kundërshtojmë këto marrëveshje deri në fund. Ne kemi argumentuar mjaftueshëm deri me tani dhe nuk kemi dëgjuar asnjë argument në mbrojtje të këtyre marrëveshjeve. Çdo ide për bisedë me këtë pushtet policor është tepër naiv”, pranoi ai.