Lajme Shqip Tuesday, 13 October 2015 13:17

Hedhja e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës ka bërë që Prokuroria e Shtetit të lëshoj një urdhëresë për intervistim ndaj deputetit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti.

Policia e Kosovës në një përgjigje për “zeri.info” tregon se deputeti i LVV-së është ftuar për intervistim menjëherë pas 8 tetorit, por që Kurti po atë ditë ishte nisur për një udhëtim jashtë vendit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka treguar se, pas përfundimit të seancës PK-ja ka ndërmarrë veprimet e saja me konsultim me prokurorin kompetent dhe ata të Kuvendit të Kosovës për të filluar procedurën e verifikimit të mjetit të dyshuar i cili që është hedhur në seancë.

“Pas përfundimit të kësaj procedure prokurori kompetent ka dhënë urdhër që të sjelljet në intervistim personi i cili dyshohet se që ka hedhur mjetin e dyshimtë. Në këtë rast, policia e Kosovës ka ftuar zotërinë Kurtin që të lajmërohet në stacionin policor për të dhënë intervistë lidhur me dyshimet. Mirëpo i njëjti nuk i është paraqitur Policisë së Kosovës dhe ka vazhduar një vizitë jashtë shtetit. Ne jemi detyruar që ta presim deri sa i njëjti të kthehet për ta realizuar urdhëresën e dhënë për çka jemi të obliguar që ta zbatojmë dhe një gjë e tillë ka ndodhë. Në orët e mbrëmshme është ndaluar në hyrje të Prishtinës dhe i është kumtuar lajmi që i njëjti duhet të shoqërohet në stacionin policor për shkak se ekziston një urdhër i dhënë nga prokurori për tu intervistuar”, ka thënë ai.

Kelani më tej ka treguar se Policia e Kosovës pasi ka sjellur Kurtin në intervistim, ka qenë një grup prej disa personave të cilët kanë sulmuar zyrtarët e PK-së.

“Ne e kemi sjellur z.Kurtin për intervistim dhe më pastaj një grup prej disa protestuesve janë mbledhur para stacionit policor dhe kanë shprehur dhunë të tepruar ndaj policisë së Kosovës. Ne vazhdimisht kemi bërë thirrje që të zhvillojnë protestë të qetë. Ata kanë dëmtuar objektin e Policisë dhe janë dëmtuar 15 zyrtarë policorë nga hedhjet e mjeteve të dyshimta. Janë dëmtuar 2 automjete dhe 5-6 automjete të zyrtarëve pranë Prokurorisë së Shtetit. Janë arrestuar 9 persona dhe janë në mbajtje”, ka thënë në fund Kelani për “zeri.info”.