Lajme Shqip Tuesday, 13 October 2015 16:26

Katër vajza të lyera me ngjyrë të bardhë e të veshura me disa pelerina të kuqe, ku rreth belit të tyre ishin vënë stoli me një thesar shumë të vlefshëm të kosovarëve, tregonin edhe arsyen e mbledhjes së shumë njerëzve, ku kryesisht ishin artdashës dhe miq të afërt të artistes, Suzana Mushkolaj e cila këtë mbrëmje hapi ekspozitën e saj me stoli të punuara nga vet ajo “Hyjneshat”, ekspozitë kjo e motivuar nga artefakti “Hyjnesha në fron”

Fillimisht shihje disa pishtarë të ndezur, të cilët të jepnin ndjesinë dhe të kthenin në kohën antike. Pastaj filloje të zbrisje shkallëve ku shumë njerëz bisedonin rreth asaj për të cilën edhe ishin mbledhur në Muzeun Arkeologjik të Kosovës. Në atë muze i cili jo shpesh është i vizituar, mbrëmjen e së hënës po ndodhte një ngjarje shumë interesante, dhe të bënte ta përjetoje e të ndjeje diçka të veçantë. Katër vajza të lyera me ngjyrë të bardhë e të veshura me disa pelerina të kuqe, ku rreth belit të tyre ishin vënë stoli me një thesar shumë të vlefshëm të kosovarëve, tregonin edhe arsyen e mbledhjes së shumë njerëzve, ku kryesisht ishin artdashës dhe miq të afërt të artistes, Suzana Mushkolaj e cila këtë mbrëmje hapi ekspozitën e saj me stoli të punuara nga vet ajo “Hyjneshat”, ekspozitë kjo e motivuar nga artefakti “Hyjnesha në fron”.

Vajzat fillimisht u vendosen në disa karrige prej druri dhe qëndruan në këmbë, ku kështu e pritën edhe nikoqiren e kësaj ekspozite që ishte presidentja, Atifete Jahjaga ku pas ardhjes së presidentes në këtë ekspozitë e cila mund të quhet e para e këtij lloji në vend, nuk munguan as fjalët e mira për artisten, dhe për ata që e mbështetën këtë ekspozitë.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahgaja fillimisht tha se në këtë ekspozitë është gërshetuar në mënyrë të jashtëzakonshme trashëgimia jonë të cilën e kemi trashëguar me dekada dhe shekuj me radhë. “Hapja e kësaj ekspozite të stolive artistike të motivuara nga “Hyjneshat”, këtu në muzeun arkeologjik të Kosovës nuk është vetëm një rastësi, sepse ne e dimë shumë mirë që Hyjnesha në Fron, motivi i së cilës është kjo ekspozitë është eksponati më i rëndësishëm i arkeologjisë së Kosovës, si dhe është simboli i identitetit tonë, jo vetëm kulturor por edhe historik”, u shpreh presidentja.

Ndërsa sa i përket rëndësisë së ekspozitës drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj tha se Suzana ka vite që punon me motive të trashëgimisë kulturore, dhe “Hyjneshat”, mund të quhet si kryefjala e punës së saj.

 “Suzana përdorë traditën për të çuar mesazhe të reja, jo vetëm në Kosovë por edhe përtej. Duhet ta pranojmë që ari e argjendi po shënojnë rënie, dhe Suzana gjen forcë të mbështetet në këtë thesar të vlefshëm duke çuar mesazhe të bukura dhe kthen besimin që nga e kaluara mund të gjej motive shumë të mëdha dhe të forta për të ardhmen”, theksoi Boshtrakaj.

E krejt për fund të pranishmëve ju drejtua edhe artistja, Mushkolaj e cila i falënderoi të gjithë ata që e kanë mbështetur. Ajo për KultPlus, tregoi se në këtë ekspozitë ka filluar të punojë para dy viteve, por që në mungesë të financave hapja e saj është shtyrë deri më tani. “Gjithë ky proces më kanë marr kohë rreth dy vite, ku është zvarritur pak puna për shkak të financave dhe në fund ia arrita dhe me përkrahjen e presidentes u bë edhe hapja e saj. Unë fillimisht kur kam ardhur jam frymëzuar nga shumë simbole të ndryshme arkeologjike, ku isha duke bërë hulumtime edhe për monografinë time, dhe aty më lindi ideja se pse mos të shfrytëzoj një simbol arkeologjik që ta rikthejmë në jetë duke e bërë moderne”, tha Suzana Mushkolaj e cila vazhdoi të tregoj se ajo ka filluar me Hyjneshën por do të vazhdon edhe me artefaktet e tjera duke i kthyer në stoli si për femra ashtu edhe për meshkuj.

 “Hyjnesha”, do të qëndroj e hapur përgjatë një jave në Muzeun Arkeologjik të Kosovës, ku do të kenë mundësi të gjithë qytetarët ta vizitojnë dhe të njihen për së afërmi me artin e artistes, Suzana Mushkolaj./KultPlus.com