Agjenda e miratuar sot në mbledhjen e UNESCO’s ku pranimi i Kosovës në këtë organizatë hyri si pikë e 43’të e rendit të ditës do të diskutohet më 21 tetor
Në mbledhjen e 21 tetorit votohet nëse diskutimi për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO do të hyjë në konferencën e UNESCO’s, apo i njëjti do të shtyhet për dy vjet, me ç’rast do të plotësohej kërkesa e Serbisë e mbështetur nga Rusia dhe disa vende mosnjohëse, merr vesh Express.
Kërkesën për pranim të Kosovës në UNESCO formalisht e ka parashtruar Shqipëria, ndërsa është përkrahur nga 45 vende, ndër to SHBA, Gjermania, Britania, Franca, Austria, Sllovenia, Irlanda, Holanda, Luksemburgu, Danimarka, Finlanda, Suedia, Turqia si dhe Estonia, Letonia e Lituania. Po ashtu është mbështetur edhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Katari, Kuvajti, Bahreini, Belizi, Burkino Faso, Çadi, Kostarika, Bregu i Fildisht, Republika Domenikane, Salvadori, Gaboni, Gambia, Gana, Grenada, Guineja, Haiti, Hiondurasi, Jordania, Lesoto, Omani, Panama, Papua Guineja e Re, Senegali, Somalia , Sudani Jugor, Togo, Tanzania dhe Vanuatu.
Nëse në mbledhjen e 21 tetorit vendoset që pika për Kosovën të hyjë në Konferencën e Përgjithshme të UNESCO’s, e cila do të mbahet më 3-18 nëntor, aty edhe merret vendimi nëse Kosova anëtarësohet në këtë organizatë, transmeton Gazeta Express.
Konferenca e Përgjithshme përbëhet nga 195 vende anëtare dhe 6 të asociuara, ndërsa për pranim duhen dy të tretat e shumicës.
Monday, 12 October 2015 13:44