Lajme Shqip Monday, 12 October 2015 14:56

Në një garë të ashpër prej më shumë se 6000 filmave konkurrues nga më shumë se 90 vende të botës, filmi kosovar “Agnus Dei” me regji dhe skenar të Agim Sopit, është nominuar në mesin e tre filmave për çmimin kryesor të “Open World Toronto Film Festival”.

Dy filmat tjerë që do të jenë konkurent, janë filmi amerikan “The Record Keeper” i regjisorit Jason Satterlund dhe filmi nga India, “Children of War” i regjisorit Mrityunjay Devvrat, transmeton Koha.net.

Fituesit e edicionit 2015 do të shpallen nga një juri prestigjioze nëntë antarëshe në mbyllje të festivalit më 16 tetor në teatrin legjendar “Fox Theatre” në Toronto.

“Open World Toronto Film Festival”, konsiderohet si njëri ndër festivalet më të rëndësishme dhe më glamuroze të Amerikës Veriore.

“OWTFF” është kompeticioni më mendjehapur dhe më mirëpritës në botë. Mbi të gjitha, nga vlerat e shumta veçojmë ndershmërinë, besimin, integritetin, diversitetin dhe punën ekipore. Përmes këtij aranzhimi të përbashkët në ndarjen e vlerave, ne pasurojmë fuqinë e ideve tuaja dhe përçojmë përkushtimin tonë drejt rritjes së suksesit”, shkruhet në parimet e festivalit.