Isa Mustafa e ka nisur fushatën elektorale të 2014-s me premtimin për ta çuar PDK-në në opozitë. Por ka përfunduar në bashkëqeverisje me të.
Ishte 28 maji i vjetëm dhe palestra që ndodhet në Pallatin e Rinisë e të Sporteve në Prishtinë ishte stërmbushur me militantë të LDK-së, atëkohë parti kryesore opozitare. Kishte atmosferë të elektrizuar.
Mustafa ishte prezantuar aty si kandidat për kryeministër. E, ovacionet mbështetëse fuqizoheshin sa herë ai thumbonte rivalin më të madh, PDK-në.
“Unë ju ftoj të gjithë juve, ju ftoj në fitore dhe ju them: Ne të gjithë së bashku e kemi pikë përnjëmend të fitojmë në këto zgjedhje. Ne s’e kemi për mahi, e kemi përnjëmend të mos bëjmë koalicion me PDK-në, por ta qesim në opozitë dhe këtë po u premtoj sot”, pati thënë Mustafa para mijëra mbështetësish të LDK-së. “Misioni i ri i kësaj qeverisjeje është opozita dhe misioni më i ri i kësaj qeverisjeje është që kurrë më të mos kthehet në pushtet”.
LDK-ja nuk e kishte pasur përnjëmend – as nuk fitoi dhe as nuk e çoi PDK-në në opozitë.
Zgjedhjet e qershorit e konfirmuan partinë e Hashim Thaçit si subjektin më të madh politik në Kosovë.
Pas rezultatit zgjedhor, opozita qe bashkuar në kauzën për t’ia pamundësuar PDK-së qeverisjen e mëtejme, pas dy mandatesh. LDK-ja e Mustafës ishte pjesë e këtij blloku. Kur u bënë gati gjashtë muaj nga ky barrikadim, u tërhoq dhe i ofroi partneritet rivalit të saj më të madh, që deri atëkohë e mbante të lëçitur i gjithë spektri politik parlamentar. /Koha Ditore/
Sunday, 11 October 2015 09:39