Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Deda nuk ka marr pjesë në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës. Ai ka thënë për Gazetën Express se nuk ka shkuar në Kuvend për shkaqe objektive. Kurse, kur është pyetur për veprimet e opozitës ka thënë nuk ndryshon asgjë nga qëndrimi i tij, që i ka bërë publike ditë më parë. E, qëndrimet e tij të dhëna ditë më parë për Express janë kundër dhunës së opozitës.
“Të gjitha deklarimet e kolegëve të mi në VV në lidhje me dhunën në protestë janë deklarime individuale dhe nuk kanë paraqitur qëndrimin e Grupit Parlamentar të VV’së. Pasi që nuk ka qëndrim partiak për dhunë në protesta, natyrisht që ne si kolegët e mij edhe unë me të drejtën e njëjtë e shpreh qëndrimin individual kundër dhunë. Kjo mund të shihet edhe si vlerë e pamohueshme e demokracisë së brendshme në VV”, pati thënë Deda, për Gazetën Express.
Ndërkohë, Ilir Deda kishte dhënë këtë deklaratë në Komisionin për Siguri, pas të cilës reagoi Vetëvendosje.
“Ne shtyhemi publikisht, por nuk ulemi të flasim. Kjo është ajo çka iu përket udhëheqësve të partive politike dhe kjo e tregon një papjekuri të madhe të këtyre udhëheqësve. Sepse mund t’iu them, është vështrim personal, atë që po duket si një triumf i një vendi tjetër ndaj vendit tonë, ne në vend se të kemi një komunikim të shohim se si të dalim nga një gjendje që e ndjejmë të gjithë kolektivisht, e kundërta po ndodh dhe nuk është në rregull që atë që unë e shoh si triumf të Serbisë, partitë politike shqiptare të bien në nivel çfarë kanë ra, që Qeveria të përdor policinë, qysh nuk lejohet të përdoret në një shtet demokrat, dhe që subjekti që i takoj unë të tentojë me dhunë t’i heqë grilat nga Qeveria, kjo nuk është situatë normale”.
Thursday, 08 October 2015 18:49