Lajme Shqip Thursday, 08 October 2015 08:01

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu, në lidhje me kërkesën dhe nënshkrimet e senatorëve që kanë kërkuar shkarkimin e tij, ka thënë se aty kishte presione.

“Disa senatorë kishin presion që të nënshkruajmë kërkesën për shkarkim, këtë ma kanë thënë mua”, tha Zejnullahu në Interaktiv të KTV-së.

Ai thotë se qëllimi është i qartë dhe shihet se është për interesa të tyre.

“Nuk pajtohem me një pjesë të kolegëve të cilët thonë se nuk kanë kërkuar shkarkimin tim, por në brendi të shkresës kërkohet dorëheqja ime. Po të analizohet shkrimi, reflektohet qëllimi për të cilin është shkruar, por nuk është i faktuar. Në përmbajtjen e tij nuk ka fakte për shkarkimin e rektorit, i cili po kërkon ruajtjen e kritereve akademike”, tha Zejnullahu.

Njëzet e tetë anëtarë të Senatit të Universitetit të Prishtinës kanë kërkuar shkarkimin e rektorit.

Rektori Zejnullahu nuk e ka quajtur bllokim gjendjen në Senat të UP-së, por i quajti “disa probleme me ngritje akademike”.

Zejnullahu tha se kanë trashëguar dy konkurse që janë zhvilluar jashtë ndikimeve politike dhe familjare, përkundër asaj që kanë pasur shumë familjarë brenda konkurseve.

“Kur 1/3 e stafit i vjen koha ligjore për rivlerësim, problemet janë më të mëdha. Brenda senatit janë 8 anëtarë dhe dy familjarë, që të rivlerësohen dhe u krijua problem. Deri tash stafi është ngritur akademikisht në forma tjera, me vota në grup dhe arritje të moshës. Nëse të gjithë meritojnë të ngritën akademikisht, atëherë UP do të ishte në vendin 40 e jo 4000”, tha Zejnullahu.

Zejnullahu ka këmbëngulur se tashmë nuk do të ketë asgjë pa kriteret brenda statutit dhe gjithçka do të shkoj me meritë.

Ai tha se ka bërë një propozim se kandidatët që i plotësojnë kushtet, mos t’i bllokojmë dhe të ngritën në shkallën akademike.

“Qëllimi jonë ka qenë që thirrja akademike të jetë e merituar. Ata që janë avancuar më herët janë avancuar, por tash duhet të fillojmë një formë tjetër”, tha Zejnullahu.

Në lidhje me relacionet me ministrin e Arsimit, Arsim Bajrami thotë se ai e ka mbështetur qëndrimin tonë në implementimin e kritereve ligjore, transmeton Koha.net.

“Nuk është i qartë statuti se unë mund t’i bllokojë kontratat në nënshkrim dhe kjo mund të krijoj edhe momente juridike ta paqarta. Për mua nuk është ligjore të shkelen pikat e statutit”, tha Zejnullahu.

“Ka njerëz që janë propozuar për profesor të rregullt dhe nuk ka asnjë punim”.

Ai dha statistika që vendosin Kosovën shumë poshtë në relacion me vendet e rajonit.

“Vendet e Danubit kanë bërë një përzgjedhje të punimeve të tyre, ku bën pjesë Kosova dhe marrim pjesë për 10 vite me 827 punime, Mali i Zi 1839, Serbia mbi 49 mijë punime”, shtoi Zejnullahu.

Ai ka sqaruar se afati i tetorit është problem, se dhënia e këtij afati do të pengojë fillimin me kohë të mësimit.

“Nëse ka afat të tetorit nuk fillon mësimi me kohë, por mund të ketë afat të nëntorit”, tha Zejnullahu.