Lajme Shqip Wednesday, 07 October 2015 15:02

Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, ka bërë të ditur se për shkak të anëtarësimit në BE, Serbisë do t’i duhet të ndryshojë Kushtetutën dhe se për këtë do të jetë i nevojshëm një konsensus i gjerë, shkruajnë mediat serbe.

Në pyetjen e një studenti të fakultetit juridik në Beograd, nëse akti më i lartë juridik do të duhet të ndryshohet nga një preambulë në të cilën Kosova përmendet si pjesë përbërëse e Serbisë, kryeministri Vuçiq është përgjigjur duke thënë se ndryshimet do të vijnë si “rezultat i anëtarësimit të Serbisë në BE”, transmeton lajmi.net

Ai, megjithatë, nuk është përgjigjur në mënyrë specifike nëse ndryshimet e paralajmëruara nënkuptojnë që krahina jugore serbe, të cilën pakica shqiptare e ka shkëputur duke e shpallur si shtet, do të përjashtohet nga Kushtetuta e Serbisë.

“Duhet të ekzistojë një konsensus i gjerë, duhet të flasim me të gjithë, është e pakuptimtë që për këtë të vendosin dy ose tri palë, sepse pjesë e procesit duhen të jenë edhe organizatat joqeveritare dhe faktorët rajonalë”, ka deklaruar Vuçiq para studentëve të fakultetit juridik gjatë një ligjërate mbi temën “Serbia mes Lindjes dhe Perëndimit”.