Në Paris sot nis mbledhja e 197-të e Byrosë së Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s, e cila do të zgjasë deri më 22 tetor
Merret vesh se në agjendën preliminare të Byrosë, në rend të ditës do të jetë edhe kërkesa e paraqitur nga Shqipëria për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.
Ndonëse sot shqyrtohet rendi preliminar i ditës, vendimi për temat përfundimtare për shqyrtim do të merret në seancën plenare të 12 tetorit.
Për përfshirjen e Kosovës në rend të ditës nevojitet shumica e votave të Këshillit Ekzekutiv, transmeton koha.net.
Nga 58 vendet anëtare të Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-s, 32 e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, pra mund të pritet që 26 vota të jenë kundër.
Beogradi, siç dihet ka zhvilluar një fushatë të egër kundër pranimit të Kosovës në UNESCO.
Për rekomandimin e pranimit në UNESCO është e nevojshme shumica e thjeshtë e Këshillit Ekzekutiv, ndërsa për pranim në UNESCO duhen dy të tretat e votave të anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të UNESCO-s.
Votat e vendeve që abstenojnë nuk llogaritën. Numërohen vetëm votat që janë “Për” dhe “Kundër”.
Seanca e Asamblesë së Përgjithshme të UNESCO-s mbahet nga 3-18 nëntor.
UNESCO ka 195 shtete anëtare me të drejta të plota dhe 8 të asocuara, ndërsa Këshilli Ekzekutiv ka 58 anëtarë (i zgjedh Asambleja e Përgjithshme).
Wednesday, 07 October 2015 11:00