Lajme Shqip Tuesday, 06 October 2015 12:36

 [E plotësuar] Protesta e studentëve para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës para pak çastesh përfundoi, me thirrjen e organizatorëve të saj që nesër nga ora shtatë t’i bllokojnë njësitë akademike, raporton Koha.net.

Protestuesit kanë kërkuar më shumë afate, mënjanimin e nepotizmit, bursa më dinjitoze dhe vlerësim objektiv të diturive të tyre.

Tensionohet protesta para Rektoratit

Ka nisur të tensionohet protesta e studentëve para Rektoratit. Një student ka marrë lëndime të lehta derisa janë konfrontuar me policinë për të hyrë brenda objektit të Rektoratit.

Studentët kanë bërë thirrje që të tërhiqet policia dhe një gjë e tillë është bërë pa u menduar dy herë.

Duke ruajtur objektin për momentin janë vetëm punëtorët e sigurimit, transmeton KP, përderisa studentët po kërkojnë që krahas kërkesës për rritje të kritereve të rritet edhe mundësia për studime.

Kryetari i Parlamentit Studentor, Egzon Daku, përveç që ka kërkuar që studentët të mos bien pre e politikave të ndryshme, ka kërkuar po ashtu që, siç ka thënë ai, “ të largohen maniakët seksualë nga Universiteti i Prishtinës”.

Kjo protestë, sipas Dakut, mes tjerash po bëhet me kërkesën që të ketë bursa dinjitoze dhe vlerësim objektiv për studentët.

Fjalimin e tij e kanë shoqëruar thirrjet e studentëve “ Poshtë seksizmi”. Studentët mes tjerash kanë kërkuar që në UP të merren me shkencë e jo me politikë.

Ndërsa senatori Visar Krasniqi para studentëve tha se kërkesë e tyre është që të mblidhet Senati dhe të plotësojë kërkesat e studentëve.

Studentët protestues thanë se protesta e tyre do të jetë paqësore dhe dinjitoze, duke thënë se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre që nepotizmi të largohet njëherë e mirë nga UP-ja.

Studentët po presin para Rektoratit duke thënë se nuk duan të dialogojnë, por se duan vendime.