Deklarata e ministrit të jashtëm serb, Ivica Daçiq, se pranimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO) do të ishte i barabartë me anëtarësimin e të ashtuquajturit Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit (ISIL), ka hasur në reagime të ashpra nga opinioni publik në Serbi.
Në portalet e medieve më të njohura beogradase të tilla si B92 qytetarët serbë pyesin se si mund të jetë Kosova njëlloj si ISIL-i kur vet Daçiq pi kafe dhe takohet rregullisht me ish-kryeministrin kosovar, Hashim Thaçi. Për më tepër, Daçiq kishte marrë pjesë në konferencën “Western Balkans 6”, të mbajtur në Prishtinë, ku Republika e Kosovës kishte marrë pjesë si shtet i barabartë me vendet e Ballkanit Perëndimor në kuadër të “Procesit të Berlinit”.
Komentuesit e tjerë serbë thonë se ISIL-in nuk e kanë njohur 111 shtete dhe se Serbia është detyruar të nënshkruante Marrëveshjen e Brukselit me Kosovën sepse në bisedime kishte hyrë si palë humbëse dhe se kështu Serbia, faktikisht, e ka njohur Kosovën.
Qytetarët e tjerë serbë pyesin se pse atëherë në artikujt e ndryshëm serbë shkruan “importues për Kosovën”, e të tjerët thonë se Kosova tashmë është anëtarë e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, transmeton lajmi.net.
Një nga komentet më të fuqishme është se dallimi mes Kosovës dhe ISIL-it qëndron në frigoriferët famëkëqinj të Serbisë që bartnin kufomat e civilëve shqiptarë të vrarë në luftën e fundit në Kosovë.
Monday, 05 October 2015 11:18