Pranë llastikave të varur në skenë – që vihen në funksion sidomos gjatë shpërthimeve të fuqishme emocionale – zënë vend personazhet.
Presin që skena të errësohet dhe sinjalin për të nisur lojën, një tingull pianoje. Regjisori thyen heshtjen, kur para se shfaqja të nisë thotë: “Kemi punuar me dashuri e përkushtim dhe presim sonte që punën e emocionet tona t’i ndajmë me ju”. Barra transferohet tek nana dhe djali.
“Sa mirë që po të shoh. Kaq kohë ka kalu e unë gati kurrë nuk të shoh. Ose ti nuk je këtu. Ose unë nuk jam”, i thotë nana e portretizuar nga Meli Qena, djalit të saj (Bujar Ahmetit) që ka ardhur ta vizitojë në Oslo.
Studenti i letërsisë, një Hamlet modern që kishte kaluar një kohë në Gjermani e Irlandë, takohet për herë të parë me të ëmën. Në tekstin origjinal të dramaturgut norvegjez, Jon Fosse, i cili njashtu si titulli “Nana dhe fëmija” është përshtatur e përkthyer në gegërishte – ajo është vetëm një, por në inskenimin e regjisorit Bekim Lumi, në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, vjen nëpërmjet tri aktoreve. Përveç Qenës, në rolin e nënës janë edhe aktoret Donikë Ahmeti e May-linda Kosumoviq.
Takimi i parë midis djalit e nënës, që e kishte braktisur dhe lënë në duar të gjyshërve – pasi ishte përcaktuar t’ia falte jetën ani pse e kishte menduar abortin si opsion – në konceptin regjisorial të Lumit vjen i gërshetuar me biseda e koreografi. Dialogët e tri nënave me djalin shfrytëzohen për të ngjeshur e përthekuar rrëfimin e dramës familjare.
Aty shikuesi takon nënën që mes amësisë dhe ambicies e dëshirës për një jetë të lirë kishte zgjedhur të dytën. Ballafaqohet me perceptimet e personazheve lidhur me feminizmin, sadizmin, homoseksualizmin, epshin. Dëgjon tek flasin për letërsinë, duke shfrytëzuar emra të mëdhenj si Samuel Beckett e James Joyce. Nëna do të gjejë gjithfarë arsyetimi sa për ta mbajtur më gjatë afër vetes djalin që i vjen në një vizitë të papritur e të çuditshme pas më shumë se 20 vjetësh.
E pyet në i urren femrat, e quan gej – sa për ta zemëruar dhe për t’ia nxjerrë përgjigjen se është thjeshtë një “sadist seksual”. I rrëfen se sa i tmerrshëm ishte procesi i lindjes, që e kishte bërë të mos e dëshironte një tjetër fëmijë. Krejt historive që rrëfejnë nënat, të koordinuara detajisht qysh prej kostumeve të ngjashme të krijuara nga Samka Ferri, në frizurë, grim e deri në aspektin intonativ, regjisori u ka dhënë shpirt me elementet e tjera.
Muzika e kompozuar nga Visar Kasa, që në skenë interpretohet nga Alzan Gashi, bëhet një personazh i pestë i shfaqjes. Rekuizitat vihen në funksion më së shumti kur situata mes nënës e djalit tensionohet. Pjesë e lojës janë edhe kovat me të cilat nënat improvizojnë sikur pastrojnë dyshemenë kur i flasin djalit për shefen e tyre të kamotshme. Edhe foshnjat e plastikës që dalin në një prej momenteve më kulminante, kur nënat i shfrytëzojnë ato për t’i rrëfyer djalit se si pyeste: “nanë a mund ta vnoj pak kokën mbi gjinjtë e tua”.
Fraza “sa mirë që po të shoh”, përsëritet pas çdo situate tensioni, sikur për të kthyer qetësinë. Në fund, djali ndan mendjen për të ikur. Kjo pasi i jep përgjigjen nënës (Meli Qenës) në pyetjen se “s’më tregove çfarë po bën në Oslo”. “Kam ardhë me të vizitu”, thotë Ahmeti, për t’i dhënë fund lojës mbi njëorëshe, teksa hedh sakon mbi njërin krah dhe del prej skenës me hapa të ngadalësuar që ngjasojnë me efektet “slow motion” të filmave.
Publiku, që në premierën e shfaqjes “Nana dhe fëmija” të Lumit ka zënë vend në skenë dhe jo në sallë, duartroket. E kritika vlerëson kreativitetin e finesat regjisoriale të Lumit në realizimin e dramës që në esencë është metaforë e fateve të çuditshme njerëzore dhe vjen nëpërmjet gjurmimit që bën djali në takimin me të ëmën.
Dramaturgu Arian Krasniqi ka thënë se premiera e kësaj shfaqjeje për skenën teatrore në Kosovë është e një rëndësie të dyfishtë, pasi është përzgjedhje e mirë për të hapur sezonin e TKK-së dhe sjell për herë të parë në gjuhën shqipe tekstin e Fosses.
“Kjo shfaqje shquhet për kreativitet regjisorial, gjetje skenike që i japin shfaqjes një dimension artistik, ku gërshetohen mjeshtërisht estetika dhe stilistika teatrore. Përveç kësaj, shfaqja solli edhe një tematikë që është aktuale, orientimi seksual ndryshe, në këtë rast homoseksualizmi”, ka thënë Krasniqi, sipas të cilit teksti por edhe shfaqja si koncept regjisorial u kanë dhënë mundësi aktorëve të realizojnë role të mira.
Regjisori Fadil Hysaj e ka cilësuar “Nana dhe fëmija” një shfaqje të punuar e menduar mirë deri në finesë, si nga regjisori ashtu edhe nga aktorët.
“Është një shfaqje regjisoriale në kuptimin e plotë të fjalës, sikurse edhe shfaqjet e mëhershme të Bekim Lumit. Dhe është shumë mirë kur aktorët kanë punuar me një përkushtim të madh dhe i janë nënshtruar në kuptimin e mirë të fjalës një koncepti dhe e kanë çuar atë deri në fund”, ka thënë Hysaj.
Sipas tij, në “Nana dhe fëmija” secili element që del në skenë bëhet pjesë e ritualit dhe lojës, gjë që e bën të veçantë punën e Lumit.
“Konsideroj që kjo lloj shfaqjeje në nivelin estetik i përmbush kriteret e një teatri autorial, në kuptimin regjisorial dhe është një ndër shfaqjet që Bekim Lumi sjell një teatër të finesës, minimalist në kuptimin e përdorimit të rekuizitave dhe dekorit”, ka thënë ai.
Aktorja Leze Qena ka thënë se ka dëgjuar se ekipi ka punuar për disa muaj në realizimin e shfaqjes dhe se puna e tyre u shpërblye në skenë.
“Me të vërtetë s’di kah t’ia filloj. Regjia, loja, aktrimi, teksti…Çdo gjë ka qenë mirë. Jam fascinuar”, ka thënë ajo.
Aktorët të cilët kanë qenë pjesë e një procesi jo fort të lehtë të punës – që ndër të tjera është shoqëruar edhe me ndërprerje provash për shkak të mungesës së energjisë elektrike në Teatrin Kombëtar – pas shfaqjes së premierës janë ndier më të lehtësuar.
Aktorja Meli Qena – së cilës në shfaqje i bie thuajse barra më e madhe e nënës – kishte kaluar gati 7 muaj duke mësuar tekstin.
“Ka pasur edhe dilema, mëdyshje, qasje të vështira, sepse me vite njeriut nuk i vjen siguria, por skepticizmi të cilin nganjëherë gati ka qenë e pamundur ta tejkaloj.
Por më kanë ndihmuar në këtë aspekt një grup i njerëzve të rinj që kanë qenë afër meje dhe ata me dëshirën e tyre, energjinë, vullnetin për të punuar, shpesh më kanë nxjerrë prej kësaj letargjie, situate të pakëndshme”, ka thënë ajo.
Për aktoren Donikë Ahmeti e gjithë shfaqja ka kaluar me emocione.
“Besoj që mund të flas në emër të krejt ekipit që kemi pasur shumë emocione, por normalisht kemi punuar për këtë një kohë të gjatë dhe e kemi ditur saktësisht se çfarë do të bëjmë dhe ku do ta bëjmë.
Dhe në 10 minutat e parë të shfaqjes filluam të relaksohemi dhe gjithçka ka shkuar ashtu siç e kemi planifikuar”, ka thënë ajo.
Aktori Bujar Ahmeti, në rolin e fëmijës, ka debutuar në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
“Gjithmonë kam pasur dëshirë të vij këtu me një shfaqje shumë të madhe. E mendoj se ky ka qenë rasti im i mirë”, ka thënë ai./koha.net/
Friday, 02 October 2015 13:20