Lajme Shqip Friday, 02 October 2015 15:24

Pas krijimit të rrjetit të bizneseve shqiptare në Suedi, Ministria e Diasporës dhe Rrjeti i bizneseve të diasporës shqiptare vazhduan krijimin e këtij mekanizmi të rëndësishëm, duke krijuar tani këtë rrjet edhe në Norvegji, ka njoftuar Zyra për informim e MeD-së.

Rrjeti i bizneseve shqiptare në Norvegji është krijuar pas një forumi të mbajtur në Oslo, në të cilën janë diskutuar sfidat dhe sukseset e kompanive shqiptare në diasporë, qëllimi i të cilëve do të jetë përafrimi i bizneseve dhe i biznesmenëve shqiptarë në botë dhe bashkëpunimi mes tyre që, nëpërmjet projekteve të përbashkëta, të investojnë në trojet shqiptare.

Në këtë forum ishte i pranishëm edhe sekretari i përgjithshëm i MeD-së, Osman Shahini, i cili theksoi se e përkrah këtë projekt madhor. Ai i informoi të pranishmit edhe për rëndësinë e regjistrit të diasporës.

Prezent në këtë forum ishte edhe Naim Dedushaj, drejtor i Departamentit të Investimeve të Diasporës, nikoqir i projektit i cili theksoi rëndësinë e rrjetëzimit në 18 shtete të botës.

Në anën tjetër, z. Besian Mustafa, drejtor i përgjithshëm i KIESA-s, i njoftoi afaristët e pranishëm rreth pakos së re fiskale. Po ashtu, në forum ishin të pranishëm edhe kryetari i Rrjetit të bizneseve në Finlandë, Omer Nura, kryetarja e porsazgjedhur, Saranda Iseni, dhe përfaqësuesit e projektit DEED , të UNDP-së dhe ata të IOM-it.

Në fund të forumit u zgjodh edhe kryesia prej 11 anëtarësh. Kryetar u zgjodh Korab Thaçi

nënkryetarë, Albin Istogu, dhe Agim Thaçi, sekretare, Liridona Gashi, dhe arkëtar, Habil Kaloshi.

Para krijimit të rrjetit u mbajt një takim parapërgatitor me përfaqësuesit e bizneseve shqiptare në Norvegji, si dhe u vizituan bizneset më të suksesshme në Oslo dhe në rrethinën e saj, si: “Istogu Hustenger”, “Rema 1000”, “Soli Renhold Vedlikehold AS”, “Top Maler Bygg LTD”.