Lajme Shqip Friday, 02 October 2015 09:27

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në kuadër të Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq ka thënë se Asociacioni i Komunave të Serbisë nuk është kërcënim për shqiptarët dhe se qëllimi i saj është të mbrojë serbët.

“Para së gjithash unë mendoj se është e tmerrshme që disa politikanë i tremb e vërteta rreth Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë. Fakti se serbët do të kenë më shumë të drejta se të gjithë komunitetet tjera, kjo nuk do të thotë se dikush tjetër do të ketë më pak të drejta”, tha Gjuriq për televizionin publik RTS, transmeton Telegrafi.

Ai ka thënë se 120 mijë serbët që jetojnë në Kosovë, e cila është një e treta e numrit të ish popullatës serbe që dikur ka jetuar në Kosovë, duhet të ketë një mundësi për të mbijetuar dhe se AKS- ja “ua garanton”.

Gjuriq ka theksuar se ka dëgjuar nga “zyrtarët më të lartë shtetëror” se afati i fundit për krijimin e AKS-së është 25 dhjetor.