Lajme Shqip Thursday, 01 October 2015 14:40

Policia ka arrestuar edhe katër persona në Prizren të dyshuar për aktivitete të jashtëligjshme.

Hazir Berisha, zëdhënës i policisë për rajonin e Prizrenit, ka njoftuar se në Prizren janë arrestuar katër persona të dyshuar për fajde.

“Pas një hetimi të gjatë lidhur me fenomenin e fajdeve në Prizren e më pas edhe të kanosjes, hetues rajonalë në bashkëpunim me prokurorinë e shtetit dhe me miratimin e gjykatës themelore, me qellim të gjetjes së provave materiale, sot në mëngjes janë kryer bastisje në tri lokacione në vende të ndryshme. Janë shoqëruar për intervista katër persona të dyshuar të cilët më pas, janë ndalur nën masën e arrestit policor”, ka shkruar Haziri në njoftimin dërguar medieve, përcjell Indeksonline.

Sipas tij, gjatë bastisjes janë gjetur dhe sekuestruar; një armë zjarri e tipit kallashnikov me katër karikatorë; një pushkë gjahu e prodhimit rus; një pistoletë e llojit “Zastava” disa fishekë; një boks metalik dhe një veturë e llojit Nisan Morano.

Po ashtu, bën të ditur Haziri, janë sekuestruar letra e dokumente të ndryshme me interes për hetimin e rastit.

Ai ka thënë se provat materiale dhe shkresat e lëndës do t’i kalojnë prokurorisë për procedura të më tejme.