Lajme Shqip Thursday, 01 October 2015 12:35

Opozita nuk ka asnjë rrugë përpos që ta pamundësojë futjen në zbatim të marrëveshjeve për Demarkacionin dhe Asociacionin. Nëse këto marrëveshje hyjnë në zbatim tani atëherë, sipas AAK-së, Kosova nuk më nuk do të ketë fuqi as t’i korrigjojë e as t’i shfuqizojë ato.

 “Ne, si Opozitë,  nuk do të mund të pajtohemi asnjëherë, që kushdo qoftë ta godas kaq rëndë shtetin dhe territorin e Kosovës”, thuhet në njoftim, raporton lajmi.net.

Sipas AAK-së, Isa Mustafa ka gabuar, prandaj ai duhet ta korrigjojë gabimin e tij, sepse kjo është në interes të shtetit ku ai është kryeministër. “Prandaj ftoj atë dhe partnerët ndërkombëtarë që ta kuptojnë shqetësimin tonë dhe t’i rishikojnë këto marrëveshje”.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk është kundër që serbët, atje ku janë shumicë, ta kenë asociacionin e tyre, por ky asociacion duhet të jetë në përputhje me Planin Ahtisaari dhe me Kushtetutën e Kosovës. Çdo zgjidhje tjetër, është jo demokratike dhe e papranueshme”, thuhet më tej.

Sa i përket demarkacionit të kufirit më Malin e Zi, AAK thotë se janë të përcaktuar që kufiri të jetë atje ku ka qenë gjithnjë. “Nuk e duam tokën e askujt dhe nuk jemi të gatshëm ta falim tokën tonë. Vetëm një zgjidhje e tillë është garancë e një fqinjësie të mirë me Malin e Zi”, shkruhet  në njoftim.

AAK vlerëson se këto çështje janë jetike për Kosovën dhe unë i ftoj të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, në Kosovë dhe jashtë saj, që të vihen në anën e së drejtës, e jo të mbështesin zgjidhje të improvizuara me pasoja të pariparueshme.