Lajme Shqip Thursday, 01 October 2015 10:51

Edhe fëmijët thuhet të jenë në mesin e 36 njerëzve të vrarë në sulmet ajrore që Rusia ka filluar dje në Siri, por autoritetet në Moskë e kanë mohuar këtë.

Dhjetëra civilë, përfshirë pesë fëmijë, janë vrarë në sulmet ajrore të para të Rusisë në Siri, transmeton lajmi.net.

Këshilli Kombëtar Sirian – një grup opozitar i Presidentit Asad – pohoi se 36 persona vdiqën në sulmet në veri të Homsit.

Lideri i grupit, Khaled Khoja, tha se në atë pjesë ku u sulmua dje nuk kishte forca të Shtetit Islamik.

Ai tha se pretendimet e Rusisë se kishte sulmuar zona të grupit terrorist ishin të pabaza.

Fuqitë perëndimore, të tilla si Franca dhe SHBA, kanë shprehur gjithashtu dyshime lidhur me shënjestrën ruse.

Por një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Rusisë hodhi poshtë raportimet për vdekje të civilëve dhe ato i quajti si “luftë informacioni”.

Rusia filloi sulmet në Siri të mërkurën pas një kërkese nga regjimi sirian në Damask.

Aeroplanët e saj në shënjestër kishin automjete dhe depo.

Aktualisht në pran portit të qytetit sirian Latakia janë stacionuar 32 avionë luftarakë rusë të shoqëruar nga 1,700 marinsa.

Është e paqartë nëse Rusia ka ndërmend që të luftojë të gjitha forcat kundërshtare të presidentit Assad – duke përfshirë edhe rebelët e mbështetur nga SHBA-të – apo thjesht vetëm ekstremistët, të tillë siç janë ata të Shtetit Islamik.