Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë takimit që pati sot me sekretarin për Marrëdhënie me Shtete të Selisë së Shenjtë, Paul Richard Gallagher, ka shprehur edhe një herë përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, veçanërisht në UNESCO. I shoqëruar nga zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, u takua në New York me një delegacion nga Selia e Shenjtë.
Gjatë takimit kryeministri Mustafa e njoftoi sekretarin Gallagher për progresin në Kosovë, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, veçanërisht në UNESCO.
“Kosova, si një shtet evropian, dëshiron të jetë pjesë e programeve shkencore, arsimore, si dhe të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në kuadër të UNESCO-s. Rinia kosovare e meriton të jetë pjesë e këtyre programeve, duke qenë se ndan të njëjtat vlera si të gjithë të rinjtë e tjerë të Evropës”, tha kryeministri Mustafa.
Kryeministri e falënderoi sekretarin Gallagher për përkrahjen që Selia e Shenjtë ka dhënë për Kosovën për dekada të tëra, duke theksuar marrëdhëniet që kanë ekzistuar ndërmjet Kosovës dhe Selisë së Shenjtë që nga koha e presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.
Në këtë kontekst, kryeministri Mustafa shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me Selinë e Shenjtë, duke kërkuar shqyrtimin e mundësisë së njohjes së Kosovës.
Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, e falënderoi sekretarin Gallagher për ndjenjat pozitive dhe përkrahjen e Selisë së Shenjtë për Kosovën. Zëvendëskryeministri Thaçi po ashtu theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, duke thënë se kjo do të ishte në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe proceseve në Kosovë dhe rajon.
Sekretari për Marrëdhënie me Shtete të Selisë së Shenjtë, Paul Richard Gallagher, vlerësoi progresin në Kosovë dhe hapat e Kosovës në raport me proceset demokratike në rajon dhe më gjerë.
Në një takim tjetër, kryeministri Mustafa takoi presidentin e Republikës së Bullgarisë, Rosen Plevneliev. Mustafa e njoftoi presidentin Plevneliev edhe për angazhimin e Kosovës për anëtarësim në UNESCO, në INTERPOL, si dhe në organizata të tjera ndërkombëtare, duke kërkuar përkrahjen e Bullgarisë.
Presidenti i Republikës së Bullgarisë, Rosen Plevneliev, duke përgëzuar Qeverinë e Kosovës për progresin që po arrihet në Kosovë dhe rolin e saj në rajon dhe më gjerë, shprehu përkrahjen e Bullgarisë për Kosovën në të gjitha fushat. Presidenti Plevneliev theksoi se Bullgaria do të përkrahë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, në INETRPOL, për avancimin e proceseve integruese evropiane, si dhe premtoi përkrahje për Kosovën në fuqizimin e subjektivitetit dhe rolit ndërkombëtar dhe rajonal.
Thursday, 01 October 2015 09:43